Telegrafi

Rusia e ka afruar një sondë misterioze shumë pranë një sateliti spiun amerikan, që ka kushtuar katër miliardë dollarë

Sonda ruse për inspektim, që është lansuar në fund të vitit të kaluar, ka ndryshuar drejtim dhe tani po qëndron në një orbitë, shumë afër një sateliti spiun amerikan.

Më 20 janar, Cosmos 2542 manovroi në atë mënyrë që të ishte afër USA 245, një satelit që mbledh imazhe për qëllime ushtarake dhe inteligjence për projektin e rishikimit të fotografive, transmeton Telegrafi.

Kjo sondë ruse është për ‘inspektim të aparateve hapësinore’, që do të thotë se a krijua për të monitoruar satelitët e tjerë në hapësirë – derisa qeveria amerikane ka paralajmëruar se mund të përdorë kamera dhe sensorë për të mbledhur informacione për satelitë tjerë, ose të përdorë mikrovalë të fuqishme, lazer ose bllokues të frekuencës së lartë, për të kryer një sulm.

Cosmos 2542 u lansua nga Kozmodrome Plesetsk, më 25 nëntor të vitit të kaluar, ndërsa qeveria ruse pretendonte se është vetëm një sondë, e cila kontrollon dhe merr materiale të nevojshme nga sonda dhe satelitë tjerë të këtij shteti.

Kur sateliti u nis për herë të parë, nënkuptohej se do ta kalonte USA 245 pas 11 ose 12 ditësh, mirëpo Cosmos 2542 ka bërë manovra të ndryshme, vetëm që t’i qëndrojë pranë satelitit amerikan, që ka kushtuar katër miliardë dollarë dhe u përpunua për një kohë të gjatë.

Lidhur me këtë afrim mes sondës dhe satelitit spiun, asnjëra prej qeverive ende nuk ka dhënë ndonjë deklaratë. /Telegrafi/