Rusia dhe Bjellorusia janë ftuar sërish në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Nobel pasi vitin e kaluar u ndaluan shkaku i pushtimit të Ukrainës.
Fondacioni Nobel njoftoi se ka ndryshuar politikën e ftesës, duke mirëpritur gjithashtu Iranin dhe udhëheqësin e një partie suedeze të ekstremit të djathtë, raporton skynews.
Vidar Helgesen, drejtori ekzekutiv i fondacionit privat që jep çmimet prestigjioze Nobel, tha se ekzistonte një prirje globale në të cilën “dialogu midis atyre me pikëpamje të ndryshme po zvogëlohet”.
Për ta kundërshtuar këtë, ai tha se “tani po zgjerojmë ftesat tona për të festuar dhe kuptuar çmimin Nobel dhe rëndësinë e shkencës, kulturës dhe shoqërive të lira, paqësore”.
Vitin e kaluar, të dërguarit diplomatik të Rusisë dhe Bjellorusisë u ndaluan të merrnin pjesë në ceremonitë e çmimeve dhe ndejat, të cilat zhvillohen gjithmonë më 10 dhjetor.
Të gjitha çmimet Nobel shpërndahen në Stokholm, përveç Çmimit Nobel për Paqen, i cili jepet në Oslo.
Fituesit e çmimit Nobel të këtij viti do të shpallen në fillim të muajit tetor. /Telegrafi/