“Perspektiva e Serbisë është në rrugën e tretë që po ia ofron Vladimir Putini – duke ruajtur marrëdhëniet e shkëlqyera me Rusinë por edhe me BE-në, por pa qenë anëtare e saj apo e NATO-s”, ka porositur sot gjeneral lejtnant Sergei Stepashin, njeriu kryesor i Putinit për Ballkanin, përndryshe ish-kryeministri i Rusisë dhe ish-drejtori i shërbimit federal rus të sigurisë.
Njeriu që në emër të Kremlinit është i angazhuar për Serbinë, ka folur gjithashtu për bashkëpunimin ushtarak midis Serbisë dhe Rusisë, të ardhmen e Kosovës, Malit të Zi si dhe pranimit në NATO, por ka zbuluar edhe mundësinë e përsëritjes së skenarit të Maidanit të Ukrainës, transmeton Telegrafi.
“Qeveria aktuale në Serbi në mënyrë aktive është e orientuar drejt BE-së dhe kjo është e kuptueshme, pasi që Serbia gjendet në një lloj enklave të mbyllur, por që nuk ka kufij me Rusinë. Serbia mund ta zgjedhë rrugën e tretë – të ketë marrëdhënie të mira me BE-në pa pasur kurrfarë detyrimi të bëhet anëtare e saj, të mos ngutet, dhe njëkohësisht në mënyrë aktive të zhvillojë procese integruese me Federatën ruse”, ka deklaruar Stepashin.
“Kjo është ajo çfarë ofron Putini. Aty është perspektiva e Serbisë”, ka porositur për fund Stepashin. /Telegrafi/