Site icon Telegrafi

Rusi, nis gjyqi ushtarak ndaj vrasësve të opozitarit Boris Nemtsov

Pesë personat e akuzuar për përfshirje në vrasjen e politikanit opozitar rus, Boris Nemtsov, kanë dalë këtë të hënë përpara një gjykate ushtarake në Moskë, ku po zhvillohet gjyqi ndaj tyre.

Dikur një zv.ministër, Nemtsovi, i cili u bë një zë tepër kritik i Presidentit Vladimir Putin, u qëllua për vdekje vitin e kaluar shumë pranë Kremlinit.

Të akuzuarit, të gjithë çeçenë, akuzohen se kanë premtuar shuma të majme parash për vrasjen e tij, megjithatë ata i mohojnë akuzat.

Të afërmit e Nemtsovit thonë se, ai që ka urdhëruar vrasjen e tij do të mbetet i pazbuluar.

Një avokat i familjes Nemtsov tha përpara gjykatës se hetimet nuk kanë qenë as objektive dhe as të plota, duke u kapur pas mungesës së pamjeve filmike, pavarësisht se krimi ndodhi shumë pranë një prej shesheve më të famshme të Rusisë.

Me fillimin e gjyqit, masat e sigurisë kanë qenë tepër të rrepta, ndërsa të dyshuarit janë shoqëruar për në gjykatë me forca policore të armatosura, që mbanin edhe kapelë në kokë.

Presidenti Putin e quajti atë vrasje si “të turpshme dhe cinike”, si dhe u angazhua se përgjegjësit e atij krimi do të dilnin përpara drejtësisë.

Exit mobile version