Telegrafi

Rusi, gazetari amerikan Evan Gershkovich dënohet me 16 vjet burg

Gazetari amerikan Evan Gershkovich është shpallur fajtor për spiunazh nga një gjykatë ruse dhe është dënuar me 16 vjet burg, pas një gjyqi të fshehtë të cilësuar si “mashtrim” nga punëdhënësi i tij, familja e tij dhe Shtëpia e Bardhë.

Gazetari i Wall Street Journal (WSJ) u arrestua fillimisht marsin e kaluar ndërsa ishte në një udhëtim në qytetin e Yekaterinburg, rreth 1,600 kilometra në lindje të Moskës, nga shërbimet e sigurisë.

Prokurorët e akuzuan atë se punonte për Agjencinë Qendrore të Inteligjencës (CIA), akuza që Gershkovich, WSJ dhe SHBA-ja i mohojnë me zë të lartë.

Bëhet e ditur se dënimi i tij shënon dënimin e parë të një gazetari amerikan për spiunazh në Rusi që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, më shumë se 30 vjet më parë, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.

“Ky dënim i turpshëm, i rremë, vjen pasi Evan ka kaluar 478 ditë në burg, i burgosur gabimisht, larg familjes dhe miqve të tij, i penguar të raportojë, të gjitha për shkak se ka bërë punën e tij si gazetar”, tha Emma Tucker nga Wall Street Journal.

“Ne do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që është e mundur për të bërë presion për lirimin e Evan dhe për të mbështetur familjen e tij. Gazetaria nuk është krim dhe ne nuk do të pushojmë derisa ai të lirohet. Kjo duhet të marrë fund tani”, shtoi ajo.

Siç raportohet, Uashingtoni akuzon Rusinë se e mban Gershkovich si një “mjet” për t’u përdorur për një shkëmbim të mundshëm të të burgosurve me shtetasit rusë në burgjet e huaja.

Por, Moska e di se SHBA-ja është e përgatitur të bëjë shkëmbime për të liruar qytetarët e saj, dhe të dy vendet dihet se kanë diskutuar një shkëmbim të tillë.

Ndryshe, gjyqi i Evan Gershkovich filloi muajin e kaluar dhe procedurat fillimisht ishin planifikuar për në gusht. Prokurorët kishin kërkuar dënimin me 18 vite burg.

Në aktakuzë prokurorët akuzuan Gershkovich, 32 vjeç, se ka vepruar “sipas udhëzimeve nga CIA” për të mbledhur “informacione sekrete” në lidhje me një fabrikë që prodhon tanke në rajonin e Sverdlovsk.

Gazetari i ka mohuar vazhdimisht akuzat dhe në një deklaratë e quajti gjyqin një “mashtrim të turpshëm”. /Telegrafi/