Telegrafi

Rushiti flet për dëshmitë e Flora Brovinës

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti në një deklaratë të dhënë për Telegrafin ka thënë se dëshmia e publikuar sot nga deputetja e PDK-së, për krimet serbe në Kosovë, sjell vetëm emocione të luftës.

Ajo kërkoi nga të gjithë që të i mos i shpërndajnë këto fotografi pasi që po iu shkaktohet shumë dëm familjeve dhe viktimave të luftës.

“Fotografia e publikuar ka nxitur shumë emocione, familjarët dhe viktimave janë traumatizuar me ato pamje. Ne kërkojmë që fotografia të largohet dhe të mos shpërndahet për shkak të ndjeshmërisë së proceseve dhe për shkak të provokimit emocional që ka shkaktuar tek viktima dhe të familjarët e tyre”, deklaroi Rushiti për Telegrafi.

Rushiti pohoi së mënyra si është publikuar fotografia është shumë denigruese në raport me viktimën.

“Duhet ta kemi të qartë se ajo fotografi zgjon emocione lufte dhe e kthen të mbijetuarën në periudhën e vitit 98/99 kur viktima e ka përjetuar krimin. Qëllimi është me fuqizu shoqërinë dhe me avancu, dhe jo më kthy prapa me këto fotografi”.

Ndërkohë, deputetja e PDK-së, Flora Brovina gjatë seancës plenare ka publikuar një dëshmi për krimet që serbët kanë kryer në Kosovë.

Në dëshminë e publikuar, shihen disa ushtarë serbë duke dhunuar një grua në Kosovë, dhe prapa saj familjarët e gruas, disa të vrarë e disa duke u keqtrajtuar nga ushtria serbe.

Në një prononcim për Telegrafin, deputetja Brovina ka thënë se dëshmia e publikuar është fshehur shumë kohë nga ndërkombëtarët dhe nga vendorët.

Ajo ka paralajmëruar se do të bëjë publikimin edhe të dy dëshmive tjera për krimet serbe në Kosovë./Telegrafi/

Lexo po ashtu Publikoi një fotografi të dhunimit të një gruaje nga ushtarët serbë, Flora Brovina ka edhe dy dëshmi tjera