Qeveria e Kosovës ka marrë vendim sot që pagesa mujore për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës të jetë 230 euro.
Ekzekutivi ka vendosur edhe për themelimin e Sekretarisë së Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusin e personave të dhunuar gjatë luftës çlirimtare.
Drejtoresha ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti, ka thënë se ky është një vendim historik.
“Kjo është një shumë simbolike, por megjithatë këtë veprim e kemi pritur që 18 vjet”, ka thënë Rushiti në Info Magazine të Klan Kosovës.
“Ne ndihemi shumë mirë që më në fund ky vendim ndodhi – kjo nënkupton se tashmë njihet e kaluara e tyre. Ky grup i dalë nga lufta është grupi më i ndjeshëm shoqëror”, tha ajo.
“Mbas disa intervistave dhe punës sonë në terren kemi parë që po rritet numri i peronave që kanë treguar interesim për të këtë shumë”.
“Ka pasur viktima edhe në Kosovë por edhe jashtë Kosovës, pasi kanë ikur nga realiteti – tash disa prej tyre kanë vendosur edhe të kthehen”, tha Rushiti.