Edhe pse Rusia insiston që vaksina kundër COVID-19 e njohur si “Sputnik V” e prodhuar nga ana e saj është mjaftë efektive, vazhdon të kundërshtohet nga qytetarët e saj.
Për ta bërë më të “besueshme” këtë vaksinë, thuhet se presidenti Vladimir Putin është imunizuar, por se nuk dihet se çfarë vaksine ka marrë.
Ndonëse Putin në të kaluarën nuk e ka pasur probleme të filmohej në patinazh, në kalërim e gjëra të tjera, ai ka zgjedhur të vaksinohet pa prani të kamerave.
Kremlini nuk ka specifikuar se cilën vaksinë Putin e ka marrë.
“Njerëzit thjeshtë duhet t’u besojnë fjalëve të tona”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Në sondazhin e fundit të Institutit të pavarur Levada Center, është rritur numri i qytetarëve rusë që hezitojnë ta marrin vaksinën “Sputnik V”.
“64 për qind e të anketuarve rusë thanë se COVID-19 është krijuar artificialisht si një formë e re e armës biologjike. Kjo krahasohet me 23 për qind që thanë se virusi u shfaq natyrshëm dhe 13 për qind nuk dhanë përgjigje”, thuhet në hulumtim.
Sipas medieve ruse, hezitimi i marrjes së vaksinave është gjithashtu në rritje, me 62 për qind të të anketuarve që thonë se nuk duan të marrin dozën e “Sputnik V”. Të rinjtë rusë ishin më skeptikë ndaj vaksinës së prodhuar në vend me 74 për qind.
“Ndër arsyet më të përmendura për rënien e interesit për ‘Sputnik V’ janë frika e efekteve anësore, provat jo të plota klinike dhe ndjenja se kjo nuk është vaksinë”, njofton instituti.
Po ashtu, shumtë doktor rusë refuzojnë të vaksinohen me “Sputnik V”. E gjithë kjo po ndodh për shkak të mungesës së të dhënave të besueshme dhe të një procesi jashtëzakonisht të shpejtë të aprovimit.
Lidhur me aprovimin e kësaj vaksine, Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) vendimin e disa vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që njëanshëm të autorizojnë përdorimin e vaksinës ruse “Sputnik V” pa aprovimin e saj, e krahason me “ruletin rus”.
“Disa vaksinën ruse e krahasojnë me ‘ruletin rus’. Unë forcërisht do të këshilloja të gjithë që jam kundër autorizimeve emergjente kombëtare për vaksinën ruse, duke e bërë të qartë se nuk ka ende të dhëna të mjaftueshme për vaksinën ruse dhe sigurinë e personave që deri me tani janë vaksinuar”, është shprehur kryetarja e bordit e menaxhimit të EMA, Christa Wirthumer – Hoche.
Ditë më parë, një kadet në Akademinë Ushtarake Smolensk u sëmur pasi mori vaksinën ruse “Sputnik V”, ku pastaj i gjithë trupi i të riut u paralizua. Kadeti filloi të ndihej keq pas vaksinimit dhe u transferua në një spital ushtarak, ku u diagnostikua me dhimbje të mëdha të shpinë dhe qafës. Si rezultat, këmbët e kadetit u paralizuan plotësisht.
Nëna e kadetit thekson se mjekët janë të bindur që sëmundja është shkaktuar nga vaksina “Sputnik V”. /Telegrafi/