Ministria ruse e Mbrojtjes ka publikuar pamjet ajrore të dëmtimit të bazës ajrore Shayrat në Siri pasi ajo u qëllua nga raketat amerikane.
Siç shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, Rusia ka thënë se vetëm 23 nga 59 raketat e lansuara nga luftanija amerikane kanë goditur caqet, dhe se gjashtë aeroplanë sirianë dhe disa ndërtesa janë shkatërruar nga sulmi.
Videoja infrared tregon se si duken disa nga aeroplanët luftarakë të rrethuar nga zjarret e shpërndara nëpër aeroport.
Gjithashtu aty shihet një numër i bunkerëve mbi tokë, disa prej të cilëve kanë pësuar dëme të rënda nga raketat Tomahawk.
Një imazh i veçantë tregon brendësinë e njërit prej bunkerëve, ku shihen ato që mund të jenë mbetjet e një aeroplani të shkatërruar.
Thuhet se kjo bazë ajrore në Sirinë perëndimore përmbante rreth 40 “strehimore” të tilla. /Telegrafi/