Telegrafi

Rusët preferojnë Shëngjinin, gjermanët aksin Durrës-Tiranë

Situata e stabilizuar ekonomike dhe politike si dhe projektimet për anëtarësim të Shqipërisë me të drejta të plota në Bashkimin Evropian dhe në NATO, e kanë bërë vendin tonë më tërheqës.

Ekspertët e pronave të paluajtshme konfirmojnë se procesi i integrimit në Bashkimin Evropian dhe NATO do të sigurojë një vlerësim akoma më të madh të tregut të pasurive të paluajtshme gjatë pesë deri në 10 vitet e ardhshme.

“Ne kemi shumë besim se Shqipëria ka një të ardhme të ndritur në këtë drejtim. Vendi do të bëhet akoma më shumë një treg më i kërkuar që në 3-5 vitet e ardhshme”, – thekson Filip Bay, drejtori rajonal i “Colliers International” në Evropën Juglindore.

Avantazhet

Një tjetër avantazh për tregun shqiptar është fakti se ai ofron çmimet më të ulëta në kontinentin e Evropës. Investitorët blejnë prona përgjatë gjithë rivierës bregdetare. Shëngjini në pjesën veriore ka qenë në shënjestër të investitorët nga Rusia, të cilët kanë kthyer vëmendjen e tyre drejt brigjeve shqiptare, pasi kanë blerë një pjesë të madhe tokash në Malin e Zi.

Agjentët e pasurive të paluajtshme thonë se jugu i vendit, duke nisur që nga Vlora e deri në Sarandë mbetet një treg primar dhe mjaft i kërkuar, por gjithsesi sipas tyre investitorët kanë nisur të lakmojnë edhe gjirin e Lalzit në Durrës, që mbetet ende një zonë origjinale dhe e pacenuar.

Tregu perëndimor

Evropianët perëndimorë janë duke lakmuar për të blerë gjithnjë e më shumë apartamente, në mënyrë të veçantë ato përreth rivierës bregdetare në jug të vendit, nga Vlora në Sarandë. Shumë prej blerësve potencialë janë nga Mbretëria e Bashkuar, Irlanda dhe Norvegjia. Investitorët gjermanë po tregojnë një interes veçanërisht në territorin midis Durrësit dhe Tiranës.

Robin Barrasford, drejtori i menaxhimit në “Barrasford & Bird”, një agjenci konsultative britanike për pasuritë e paluajtshme shprehet se Shqipëria përfaqëson një mundësi të shkëlqyer. “Ne këshillojmë investitorët që të blejnë, sepse paratë e tyre do të kthehen me fitime brenda tre vitesh”, – është shprehur Barrasford, duke përmendur faktin e perspektivës së tregut bullgar të pasurive të paluajtshme dhe bumin e investimeve që u shënua në këtë vend pak vite më parë.

Krahasimi me rajonin 

Shqipëria ofron çmimet më të ulëta për trojet në të gjithë Evropën, krahasuar me Kroacinë, Malin e Zi, Bullgarinë dhe Greqinë, ku çmimet janë afërsisht 70 për qind më të shtrenjta se në Shqipëri.

Infrastruktura në Shqipëri po përmirësohet dita-ditës me terminalin më të ri të ndërtuar në Aeroportin “Nënë Tereza”, i cili ofron tani fluturime direkt nga dhe në Londër, Nju Jork, si dhe në të gjitha vendet e Evropës, si Roma, Milano, Munih, Vjenë, Athinë dhe më gjerë. Këtë vit, parashikimet e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës janë për më shumë se 2.5 milionë vizitorë dhe turistë, ashtu si ka deklaruar edhe Ministria e Turizmit.

Më shumë se 40 milionë euro po investohen për të rehabilituar portin e Durrësit, porti kryesor i vendit, i cili ndodhet 35 kilometra larg Tiranës dhe që e lidh atë me shumë vende të Ballkanit, Detit të Zi dhe vendet e Evropës. Në të njëjtën kohë edhe në shumë rrugë të vendit, po punohet me intensitet.

Ajo që rekomandohet është një praktikë e mirë ligjore dhe që është me eksperiencë në tregun vendas, që mund të ketë asistuar investitorët e huaj në të shkuarën, për të kryer procedurat.