Site icon Telegrafi

Rusët i futen tregut të pronave në Shqipëri, zyra biznesi në zonat bregdetare

Në fillim blenë apartamente e tani po bëjnë biznes me to. Kryesisht në Durrës e Vlorë, rusë e ukrainas i janë futur tregut të shitblerjes së pronave.

“Kanë hapur me dhjetëra, për të mos thënë me qindra faqe “online”. Kanë hapur rreth 50 zyra. Mendojnë se janë në Shqipëri dhe askush nuk i ngacmon. Tregu ka dyshime se ata po kryejnë shitje dhe blerje jo në konform me rregullat”, thotë Gjin Gjoka, sipërmarrës në tregun e pasurive të patundshme.

Për aktorë nga tregu i pasurive të patundshme, dyndja e shtetasve nga Rusia e Ukraina lidhet me luftën mes dy shteteve e më konkretisht me sanksionet që Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërmarrë ndaj Moskës.

“Këta shtetas, të cilëve iu është bllokuar kodi SWIFT për shkak të sanksioneve kanë gjetur parajsën fiskle në Shqipëri. Kanë gjetur mënyra për të sjellë dhe ka dyshime të arsyeshme se edhe po pastrojnë paratë”, shprehet Gjoka.

Fenomeni pranohet edhe nga Shoqata Kombëtare Shqiptare e Real Estate.

“E kemi ngritur pranë organeve ligj-zbatuese shqetësimin se shtetas rusë, ukrainas, polakë apo çekë po kryejnë aktivitetin e ndërmjetësimit të pasurive të paluajtshme në Durrës, Vlorë apo Sarandë. Në informacionet tona, pastërtia e figurës së tyre në shumë raste ka vend për dyshime”, shprehet Reinaldo Pipiria, Drejtor Ekzekutiv i NAREA.

Për kryetarin e Shoqata Kombëtare Shqiptare e Real Estate. Reindaldo Pipira ka nevojë për rishikime ligjore në drejtim të shtrëngim të kontrolleve për licencimin e atyre që ushtrojnë veprimtarinë e shitblerjes së pronave.

“Ka shumë informalitet dhe nëse nuk merren masa ka rrezik për pastrim të parave, origjina e të cilave mund të jetë kudo”, thekson Reinaldo Pipiria.

Gjatë vitit të shkuar dhe muajt e parë të vitit 2024 janë rreth 50 zyra të reja të licencuara në aktivitetin e pasurive të paluajtshme të zotëruara nga shtetas të Europës Lindore./A2 CNN

Exit mobile version