Zëri i Okarinës thërret
Historia e popullimit të trevës së Runikut, më sa dihet deri sot, daton që në kohën e Neolitit. Zhvillimeve të kohës arritën t’iu bëjnë ballë vetëm më të vendosurit.
Runiku nuk mund të paramendohet pa fshatrat për rreth, ashtu siç nuk mund të paramendohen as ato, pa Runikun në qendër.
Runikun e karakterizojnë; pozita e mirë gjeografike, burimet e ujit, toka pjellore, dhe malet e kullosat të cilat i bëjnë ballë edhe thatësisë së madhe. Këto pasuri natyrore ndihmuan rezistencën dhe ekzistencën e runikasve në këto troje ndër shekuj .
Mu për shkak të pozitës gjeografike dhe pasurive të shumta natyrore, Runiku shumë herë ishte cak i pushtuesve që mësyn këto anë.
Burimi i ujit të ngrohtë dhe ujësjellësi antik nga Banja deri në Runikë, shumë herët e dalluan këtë qendër, nga vendbanimet tjera të populluara të kohës.
Zeje e zejtarë të suksesshëm
Për të portretizuar zanatlinjtë e dikurshëm të Runikut duhet t’i kesh parë e njohur, dhe kjo sot është krejt e pa mundur. Shumë prej tyre nuk jetojnë më, megjithëse edhe shumë zeje të asaj kohe vazhdojnë të kultivohen më sukses edhe sot. Zejtarët e vjetër patën ndikim të madh pozitiv edhe në zhvillimin e përgjithshëm, jo vetëm të kësaj ane, por edhe më gjerë, si dhe në përhapjen dhe zhvillimin e zejeve të tjera, të cilat e plotësonin njëra tjetrën.
Emrat e zejtarëve e mjeshtërve të njohur si Ramë (Nallbani) Misiri, Sejdi Çitaku, Hasan Hoxhaj, Sokol e Tafil Bajra, Riza Bellani, Ymer (Sharraxhiu) Spahiu , Sylë (Osmani) Bekaj, Sadri Shala, meritojnë, jo vetëm një faqe shkrim, por shumë me tepër. Mbesin pa përfshirë në shënim edhe shumë emra mjeshtresh më të njohur e më të vjetër, por kjo nuk do të thotë se nuk vlerësohen ata. Përkundrazi evidencimi sado i vonë i trashëgimtarëve të tyre iu bën nderë edhe vetë pararendësve të cilët ia dolën të mbjellin kulturë e jetë të pa ndërprerë në këto troje.
Duke qenë qendër e dymbëdhjetë fshatrave për rreth dhe duke qëndruar si pararojë e tyre, në Runikë kishin zënë rrënjë e ishin zhvillua deri në përsosmëri, shumë zeje të kohës, të cilat kishin hyrë në shërbim të popullatës së kësaj ane, por edhe më larg.
Zeje të kohës
Pak qendra të mëdha të populluara të kohës mund të krenohen me aq zeje, zejtar e mjeshtër të dalluar, si Runiku me rrethinë.
Instrumenti muzikor me frymë Okarina e zbuluar në Runikë, është vetëm një dëshmi e një zejtarie të zhvilluar shumë shekuj më parë, gjë që dëshmon përpunimin e hershëm të argjilës.
Runiku kishte shërbime të një vendbanimi urban me dekada. Ky lokalitet, duke qenë në zemër të dymbëdhjetë fshatrave, që edhe sot përbëjnë një tërësi organike kishte; dyqan tregtar, farkëtar, bukë pjekës, nallban (mbathtar), rrojtore, këpucëtar, kasap, qerrexhi, sharrë për lëndë druri, por edhe mjeshtër zejesh të ndryshme; gurgdhendës, murator e latues të dalluar të drurit, mjekë e ortopedë popullor.
Në fshatrat e afërta kishte mullinj uji për të bluar. Në Padalishtë dikur bluanin drithë tre mullinj, ndërsa dy në Kosterc. Hani i Dautajve, punoi që në kohën e pushtimit osman. Në këtë dyqan tregtie, popullata furnizohej me artikuj themelor për ekzistencë si; krip, vajguri, sheqer, tekstil, por edhe agrume e produkte të rralla të kohës. Të gjitha këto zeje plotësonin nevojat e popullatës vendore me prodhime të nevojshme për kohën.
Zanatlinj të njohur të këtij lokaliteti dhe të rrethinës
Familjet Çitaku, Misiraj, Dautaj, Miftaraj, Sejdiu, të Runikut, por edhe shumë të tjera të fshatrave për rreth u bënë të njohura shumë herët. Ata ishin edhe pronar të mëdhenj tokash, por edhe të dyqaneve e të zejeve që u kultivuan me dekada në këto anë. Familjet e mëdha, pushtuesit e kohës i goditen më metoda të ndryshme dhune e presioni, vetëm për t’i dëbuar që andej, në mënyrë që pasojat të ndihen edhe nga familjet më të varfra. Atyre iu konfiskuan arat më të mira të bukës dhe pyjet e kullosat. Kështu ata u gjenden herë-herë edhe në pozita të rënda ekonomike.
Pushtuesi serb , atyre zakonisht ua mori pasurinë më të çmueshme bri rrugëve kryesore apo afër burimeve të ujit. Kështu, familjet e mëdha e të fuqishme ishin në fokus të shantazheve të kolonëve që ishin vendosur pikërisht në pronat e konfiskuara.
Zanatlinj të dalluar
Ramë Misiri (Nallbani)
Misirajt kishin një mbathtore, për qe e kuaj, (nallbahane). Këtë zeje e punoi me sukses, me dekada Ramë Nallbani. Jo vetëm nallban me dekada, por Rama u bë edhe një lloj veterinari i dalluar. Megjithëse pa diplomë ai shëroi me sukses shumë sëmundje kafshësh. Zeja u trashëgua nga djemtë e Ramës, por sot, ajo gati është shuar.
Sejdi Çitaku (Qerrexhiu )
Sejdiu kishte bërë emër me mjeshtërinë e tij të ndërtimit të qerreve. Ai me dekada do ta furnizoi me qerre jo vetëm popullatën kësaj ane, por edhe më larg.
Familja Citaku njihet për zejen e ndërtimit të qerreve, nga ato të drurit deri të ato të çelikut.
Meqenëse në ketë fushë ka ndryshuar shumëçka, trashëgimtarët e kësaj zeje, nga po kjo familje, sot punojnë si mekanik të suksesshëm.
Ymer Spahiu (sharrëxhiu nga Kosterci)
Me dekada, Ymer Spahiu pati sharrë mekanike për përpunimin e drurit të cilën, me kohë e zëvendësoi me të re, me energji elektrike.
Ymeri, jo vetëm që u mor me përpunimin e drurit, por ai, mbi pesë dekada, përgatiti pa asnjë kompensim, dërrasat për çdo rast vdekjeje, dhe për këdo që i është drejtuar atij, nga cilido fshat i rrethinës së Runikut.
Ai njihej jo vetëm si njeri i fjalës, por edhe si bamirës e trim. Kushdo që e ka njohur Ymer Spahiun ka njohur bamirësin dhe besnikun e vërtetë.
Duke trashëguar këtë zeje, tash e disa dekada, në Runikë punojnë dy Elektrosharra.
Hasan Hoxhaj (këpucari)
Në Runik punonte edhe këpucari i njohur Hasan Hoxhaj i cili riparonte këpucët,por bënte edhe të reja nga materiale të ndryshme .Dikur, bacë Hasani, siguronte të mbathurat për një numër të madh njerëzish dhe me çmime të arsyeshme. Po të gjendkëshin sot ndonjë palë këpucë të tilla shumë kush do të befasohej për nivelin e lart profesional e cilësor të prerjes dhe qepjes se tyre, që në atë kohë, në fillim bëhej me dorë.
Murat Uka, ortoped e stomatolog pa diplomë
Murat Uka nga Syrigana me dekada beri emër jo vetëm të një eruditi, por edhe të mjekut popullor. Ai bëri punë ortopedi e dentisti, në një kohë kur për mjek të vërtetë vetëm mund të tregoheshin përralla. U vu në shërbim të popullit të tij dhe kreu detyrën e Ortopedit e të dentistit popullor. Mobilizimi i ekstremiteteve të të aksidentuarve mbeti detyrë e tij e parë deri në vdekje. Dhimbjet e dhëmbit shumë njerëz i qetësuan pikërisht, atje në Syriganë te Murati. Jo pak dëshmitar të gjallë mbajnë mend ndihmën që ua dha ai njerëzve, jo vetëm të trevës së Runikut, por edhe më larg. Për punën e tij mjeshtërore nuk pranoi asnjëherë kompensim dhe siç kishte thënë shumë herë; kompensimi më i mirë për te ishte kur pacientet, pas shërimit, ktheheshin për ta falënderuar.
Hajdar e Nebi Hasi, bukëpjekës
Në Runikë, më shumë dekada, gatuan bukëpjekësit nga Hasi. Në zemër të këtij lokaliteti shumë kohë më parë u ndërtua furra e bukës e cila vazhdon traditën edhe sot së bashku edhe me një tjetër. Prej këtu vazhdojnë të furnizohen me bukë shumë cilësore jo vetëm fshatrat e Runikut, por edhe më larg.
Gurgdhendës;
Edhe sot mbahen mend gurgdhendësit Sokol e Tafil Bajra dhe Sylë Osman Bekaj, nga Klladërnica. Këta emra u bën shembull dhe mësues e mbikëqyrës të shumë mjeshtërve të rij të cilët punojnë edhe sot.
Drugdhendës;
Mjeshtër i kësaj zeje dallohet herët Riza Bellani nga Klladërnica. Atëherë kur parmenda ishte vegël kryesore për lëvrimin e tokës, Riza, ndërtimin e kësaj vegle e përsosi deri në art. Në atë kohë dallohet si përpunues i drurit edhe Dan (Sefer) Nimani nga Kosterci. Sadri Shala nga Leqina përfaqëson gjeneratën pasuese të mjeshtërve eminent të drurit. Me elektrifikimin e kësaj ane filluan të punojnë edhe zejtarë të tjerë, më makineri moderne. Megjithëse drugdhendja shënoi përparime të reja, puna e dorës së kryemjeshtërve të dikurshëm çmohet edhe sot.
Anasit i kishin përsosur zejet aq shumë sa për ndërtime veglash të reja, por edhe për riparime këndej pari, kthenin edhe njerëz nga fshatra e qytete mjaftë të largëta. Të gjithë ata zejtar që punuan me dekada , për profesionalizmin e tyre të shkalles të lartë, mbahen mend edhe sot. Jo që u bënë mjeshtër të vërtetë të profesionit, por ata punuan pa hile, thonë dëshmitarët e kohës.
Sa i përket zejtarisë, Runiku edhe para më shumë se një shekulli ofronte shumicën e shërbimeve që mund të kishte një qytet i kohës. Edhe sot, Runiku ofron të gjitha shërbimet e kohës të cilat janë të domosdoshme për të mbajtur gjallë fijet e jetës së përditshme.