Telegrafi

Rundi i tretë i bisedimeve direkte Prishtinë-Beograd

Sipas agjendës së caktuar, me treshen ndërmjetësuese fillimisht do të takohet ekipi kosovar, ndërsa një orë më vonë ai serb. Pas këtyre konsultimeve, pritet të zhvillohet takimi i përbashkët – gjatë të cilit, delegacionet mund t’i prezantojnë qëndrimet e tyre për zgjidhjen e statusit të Kosovës si dhe të diskutojnë për dokumentin e shumëpërfolur, me 14 pika, të treshes ndërmjetësuese.

Ekzistimin e dokumentit në fjalë fillimisht e kishte bërë të ditur Beogradi, respektivisht ministri për Kosovën në Qeverinë serbe, Sllobodan Samarxhiq, i cili ka deklaruar se ky dokument i është dorëzuar ekipit negociator të Beogradit më 14 tetor, pas takimit në Bruksel, ndërkaq nga pala kosovare ekzistimin e tij e ka bërë të ditur anëtari i Ekipit të Unitetit, Veton Surroi, i cili të dielën duke u nisur për në Vjenë ka thënë se, delegacionit të Kosovës i është dorëzuar dokumenti 14-pikësh i treshes negociatore.

Megjithatë Surroi ka thënë se, ky nuk është dokument për marrëveshje, por për diskutim të mëtejmë dhe për ngritjen e cilësisë së bisedimeve. Ai ka shtuar se 14 pikat nuk janë rekomandime, por e përbëjnë atë që e ka kuptuar treshja nga pozicionet e palëve në negociatat e deritanishme.

Ndërkaq ministri për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Sllobodan Samarxhiq ka thënë se, "ky është një dokument i përgjithshëm me 14 pikë, i cili do të duhej të jetë bazë për punën tonë të mëtejme" ka thënë Samarxhiq, për të shtuar se "të hënën në Vjenë do të diskutojmë për atë dokument dhe delegacioni ynë është i përgatitur që të jap përgjigje rreth tij”.

Në dokumentin prej 14 pikash, siç ka njoftuar B92, thuhet se Beogradi nuk mund të ketë më prezencë fizike në Kosovë, mirëpo brenda tij nuk përmendet ndonjë propozim për statusin e ardhshëm të Kosovës e as opsioni i pavarësisë.