Karl-Heinz Rummenigge ka thënë se Florian Wirtz është saktësisht lojtari të cilin e dëshiron Bayern Munichu, por ka pranuar se do të jetë e vështirë për ta transferuar atë.
Wirtz ka qenë një objektiv për Bayernin tash e sa kohë, por vazhdon të mbetet pjesë e Bayer Leverkusenit.
Sidoqoftë, kampioni në fuqi i Bundesligës mund të përballet me një detyrë të vështirë për ta mbajtur në ekip reprezentuesin gjerman, pasi Rummenigge ka thënë se Bayerni është i vendosur për ta transferuar atë.
Ai e ka cilësuar 21-vjeçarin si lojtarin më të mirë të Gjermanisë, por ka thënë se nuk do të jetë e lehtë për të siguruar shërbimet e tij.
“Uli Hoeness ka thënë se Wirtz është ëndrra e tij dhe e ka thënë me kulturë. Të gjithë tek Bayerni pajtohen se ai është saktësisht lojtari që duam ta transferojmë”.
“Jo për ta dobësuar Leverkusenin, por të përforcohemi ne. Wirtz është lojtari më i mirë në Gjermani”.
“Nuk është vlera e tregut që ka rëndësi, por shuma në të cilën duhet të paguhet për një transferim. Kjo padyshim do të jetë e vështirë sepse Wirtz është një lojtar shumë i kërkuar”, ka thënë Rummenigge.
Wirtz ka ende edhe më shumë se dy vite të mbetura në kontratën e tij me Leverkusenin dhe është i vlerësuar rreth 15 milionë euro./Telegrafi/