Përfaqësuesja e Rumanisë do të jetë kundërshtare e Kosovës të mërkurën, në kuadër të fazës së dytë kualifikuese për Euro 2022. Ndeshja do të luhet nga ora 19:30 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.
Rumania aktualisht është e dyta në grupin e tetë. Në xhiron e parë pësoi 33:30 nga Suedia në Partille, më 5 nëntor të vitit të kaluar. Menjëherë më 8 nëntor fitoi bindshëm, 36:27 si nikoqir i Malit të Zi.
Tani janë në radhë dy ndeshje mes Kosovës e Rumanisë. Ndeshja e dytë luhet të dielën në Bukuresht.
Rumania është prej kombëtareve më të mëdha evropiane, nëse merren për bazë rezultatet e të kaluarës. Por edhe grupi aktual i lojtarëve rumun është shumë cilësor.
Vitet 60-ta, 70-ta dhe 80-ta ishin të arta për Rumaninë. Në Olimpiadën e vitit 1972, Rumania u rendit e treta. Në Olimpiadën 1986 rumunët ishin nënkampion, ndërsa vendin e tretë ishin edhe në Lojërat Olimpike në Moskë në vitin 1980 dhe në Los Angeles në vitin 1984. Së fundi në Olimpiadë rumunët janë paraqitur në vitin 1992.
Rumania ka katër tituj të kampionit të botës, të parin në vitin 1961 e të fundit në vitin 1974. Ka edhe dy medalje të bronzta botërore, në vitin 1967 e 1990. Në Botëror së fundi ishte paraqitur në vitin 2011.
Kishte fituar fazën e parë kualifikuese për Botërorin 2021, por më pas kualifikimet nuk kishin vazhduar për shkak të pandemisë.
Më pak sukses Rumania ka në kampionate evropiane. Mori pjesë vetëm në vitin 1994 dhe 1996. Tani po e kërkon kualifikimin në Euro 2022.
Hendbolli në Rumani është shumë i zhvilluar. Lojtarët e Rumanisë luajnë në liga cilësore evropiane e po ashtu në kampionatin cilësor vendor.
Rumunët të martën kanë arritur në Prishtinë për ndeshjen e nesërme. Rumunët po bëjnë përpjekje për të kthyer ditët e lavdisë, por është fakt se gjenerata aktuale nuk e ka cilësinë e gjeneratave të dikurshme. E po ashtu kombëtaret tjera janë zhvilluar shumë në dekadat e fundit.
Me Rumaninë i kemi luajtur tri ndeshje deri më tani. Madje ndeshjen e parë zyrtare kualifikuese e kemi ndaj Rumanisë. Më 29 tetor të vitit 2014 kemi pësuar 36:24 në Bukuresht. Më pas më 1 nëntor 2014 humbëm 30:16 në Prishtinë. Ishin ndeshje të fazës së parë kualifikuese për Euro 2018. Me Rumaninë jemi takuar edhe në janar të vitit të kaluar në Benevento të Italisë. Rumunët e fituan ndeshjen, ndërsa ne përfunduam në vend të dytë në grup, pas tyre. Ajo garë ishte e suksesshme për Kosovën.
Paraqitjet në Itali, fitorja ndaj Gjeorgjisë dhe barazimi me Italinë, pastaj fitorja ndaj Izraelit, barazimi me Poloninë, paraqitja solide me Malin e Zi, japin shpresë për sukses të Kombëtares sonë nesër. Faza përgatitore për ndeshjen e parë me Rumaninë ishte shumë e suksesshme. Grupi i lojtarëve është kompakt dhe shumë i mobilizuar për të dhënë më të mirën. Do të na mungojë përkrahja e tifozëve, por jo edhe angazhimi maksimal në tentim për të arritur një rezultat historik ndaj Rumanisë.