Telegrafi

Rumani, tre ministra dorëhiqen pas shpërbërjes së koalicionit

Tre ministra të qeverisë rumune dhanë dorëheqjen sot, një ditë pas vendimit të partisë së tyre, ALDE, për t’u larguar nga koalicioni i majtë në pushtet, një hap më shumë drejt krizës politike në një prej vendeve më të varfra të BE-së.

Ministritë e ministrave të dorëhequr, Energji, Mjedis dhe Marrëdhënie me Parlamentin, i janë besuar tre ministrave të përkohshëm të dalë nga radhët e partisë Socialdemokrate (PSD), që tashmë është e vetme në pushtet, njoftoi zëdhënësi i qeverisë.

Kryeministrja Viorica Dancila do të ketë më pas 45 ditë kohë për të emëruar në këto poste ministra titullarë dhe të marrë besimin e Parlamentit mbi ekipin e saj të ri.

Por PSD-ja nuk e ka mazhorancën e nevojshme në parlament pas largimit të ALDE-së nga koalicioni. PSD-ja ka 205 deputetë në një total prej 465 parlamentarësh.

Nëse dështojnë që të mbledhin mjaftueshëm vota për ekipin e ri qeverisës, socialdemokratët mund të detyrohen me legjislative të parakohshme para se të mbyllin mandatin në fund të vitit 2020. /atsh/