Socialdemokratët e Rumanisë e kanë nominuar një femër myslimane për kryeministre të re të këtij vendi.
Liviu Dragnea, lider i Partisë Social Demokrate (PSD), tha sot se kandidate e kësaj partie për kryeministre do të jetë ish-ministrja e zhvillimit rajonal, Sevil Shhaideh.
Ky nominim duhet të miratohet nga presidenti i Rumanisë, Klaus Iohanis, dhe nga parlamenti, ku PSD-ja e ka shumicën, pas fitores bindëse në zgjedhjet parlamentare të 11 dhjetorit.
Sevil Shhaideh, 52 vjeçare, do të ishte femra e parë dhe myslimanja e parë kryeministre në këtë vend, që është i banuar me popullatë shumicë të krishterë, ndërsa më pak se 1% e popullatës janë myslimanë, transmeton Rel.
Lideri partiak, Liviu Dragnea, tha pas shpalljes së emrit të së nominuarës për kryeministre, se tash për tash, ai vetë nuk mund të shërbej në postin e kryeministrit, për shkak të “një dënimi të padrejtë dhe ligjit thellësisht jokushtetues”.
Zoti Dragnea, aktualisht, është i dënuar me dy vjet burg me kusht për vjedhje zgjedhore.