Site icon Telegrafi

Rukiqi: Urgjent të merret vendimi për përkrahjen e sektorit të gastronomisë dhe transportit

Pas kufizimit të orarit të punës për sektorin e gastronomisë, kryetari i Odës Ekonomikë të Kosovës, Berat Rukiqi, tha se rritja e rasteve me COVID-19 duhet të parandalohet me vetëdijesim e jo me mbyllje të bizneseve.

Sipas tij, urgjentisht duhet të merret vendim për përkrahje specifike të gastronomisë dhe transportit.

“Rritja e rasteve duhet të parandalohet me vetëdijesim, jo me mbyllje të bizneseve dhe kufizim të lëvizjes. Nëse është e nevojshme vetëdijesimi duhet të arrihet edhe me rritje të ndëshkimeve dhe sanksioneve për të gjithë qytetarët dhe bizneset që nuk respektojnë masat parandaluese. Pasi që përfaqësoj bizneset, mund të bëjë thirrje që të mbyllen të gjitha ato biznese që nuk respektojnë masat parandaluese, e jo të kufizohet apo mbyllet një sektor në tërësi”, tha Rukiqi.

Ai tha se porosia e tij është se virusi COVID-19, është këtu për të qëndruar gjatë dhe duhet të mësohen të jetojnë me të.

Rukiqi tregoi se si duhet të veprojnë institucionet.

“Vendimmarrje të bazuar në të dhëna, analizë të thella, komunikim të rregullt me palët e prekura dhe konsultim para çdo vendimi. Qeveria dhe institucionet tjera, përfshirë Parlamenti deri më tani nuk kanë arritur as minimalisht t’i dalin në ballë sfidave dhe problemeve ekonomike dhe nëse nuk ka veprime të shpejta, që nënkupton veprime dhe vendime në dy javët në vijim, ne rrezikojmë mbylljen e mijëra bizneseve dhe mijëra vendeve të punës”, tha ai.

Lexo po ashtu Nga 6 korriku mbyllen të gjitha lokalet e gastronomisë nga ora 21:00 deri 05:00

Rukiqi tha se Pakoja Emergjente, që sipas tij nuk arriti të adresojë asnjë emergjencë dhe pësoj devalvim në të gjitha aspektet, duhet të zbatohet në tërësi pa asnjë vonesë.

Pasi që sektori i gastronomisë dhe sektori i transportit, janë të prekura direkt edhe nga vendimet e fundit, Rukiqi tha se duhet urgjentisht një konsultë me akterët e këtyre sektorëve dhe vendime për shtim të përkrahjes specifike për këta sektor.

“Riprogramimin e kësteve të kredisë, lehtësira për qasje në financa, përkrahje për pagat dhe qiratë, së paku edhe për tre muaj, shtyrje të deklarimeve dhe pagesave të tatimeve edhe për tre muaj”, tha ai.

Rukiqi u ka bërë thirrje bizneseve që të kenë kujdes, ku tha se respektimi i masave të distancës sociale, mbajtja e maskave nga punonjësit, dezinfektimet e rregullta, higjiena e punonjësve janë esenciale për mosrritjen e numrit të rasteve. /KP/

Exit mobile version