Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka vizituar sot kompaninë “Al Petrol”.
Vizita e tij po bëhet në kuadër të ciklit të takimeve me bizneset, të cilat i ka nisur që nga zgjedhja si kryetar i Odës.
Duke falënderuar pronarin e kompanisë, Latif Kryeziu, si një ndër përkrahësit më të mëdhenj të Odës Ekonomike të Kosovës, Rukiqi tha se aty u diskutuan problemet që lidhen me tërë kompanitë që kanë fuqi punëtore të pakualifikuar, dhe jo vetëm me sektorin e importimit të derivateve me shumicë.
“Gjatë tërë bisedës ne nuk dëgjuam asnjë çështje që lidhet drejtpërdrejtë me ndonjë interes të kësaj kompanie, por ne i dëgjuam çështjet që janë problematike për çdo sektor, problemet e aftësisë të fuqisë punëtore, licencat, problemet me ligjet tatimore, problemet me mosfunksionimin e dikasterëve të qeverisë që kanë të bëjnë me ekonominë”, tha Rukiqi.
Me këtë rast kryetari i Odës kërkoi nga Qeveria të merret seriozisht me këto probleme dhe të mos mbetet sikur ligji i naftës, që siç tha ai, kurrë nuk ka marrë format përfundimtar. Kryeziu tregoi se kryetari i Odës u njoftua me arritjet sistematike të kompanisë dhe me problemet që has kjo kompani.
Duke treguar për historikun e kompanisë së tij Kryeziu tha se ajo është njëra nga kompanitë më të mëdha në Kosovë për nga numri i të punësuarve dhe njëra ndër tatimpagueset më të rregullta të buxhetit të Kosovës.
“Sikur deri më tash, Oda Ekonomike u zotua se do të jenë një zë i vërtetë i ekonomisë për t’i adresuar të gjitha problemet e dikasterëve të caktuara, por edhe të krijojnë një ambient të volitshëm për të gjitha sektorët e ekonomisë në Kosovë, konkretisht për sektorët që ne jemi si kompani”, tha Kryeziu.
Pas zgjedhjes kryetar të Odës, Rukiqi po vazhdon vizitat nëpër bizneset e Kosovës. /KP /Telegrafi/