Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi gjatë takimit me përfaqësues të hotelerisë dhe turizmit, ka thënë se nuk ka vendim për ndalje të asnjë veprimtarie të këtij sektori.
Rukiqi në një konferencë për media është shprehur se, gjithçka mbetet në varësi të situatës së pandemisë së COVID-19 me të cilët po kalon Kosova.
“Ajo se çfarë është më rëndësi të theksohet se nuk ka vendim për ndalje të asnjë veprimtarie, gjithçka mbetet në varësi të situatës së pandemisë, por edhe në kushtet kur fillohet puna, Vështirësitë mund të ekzistojnë sidomos ato financiare dhe i ne bëjmë thirrje qeverisë për një dialog me bizneset në mënyrë që të gjenden zgjidhje funksionale për punë dhe zgjidhje për gjendjen financiare”, tha Rukiqi, përcjell Telegrafi.
Ai shtoi se ky sektor është një impuls i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit.
“Pas prononcimit të Ministrisë së Shëndetësisë që lidhet me organizimin e ngjarjeve, ahengjeve në vend dhe që ka krijuar një pakënaqësi te bizneset, posaçërisht edhe të qytetarët, sidomos te pjesa e diasporës që është një impuls i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit sidomos për këtë pjesën e sezonës që krijohet një qarkullim mjaftë i madh për vendin”, tha ai.
Ditë më parë, ministri i Shëndetësisë kishte thënë se, viti 2020 do të jetë vit i distancës, duke shtuar se nuk do të ketë as dasma këtë vit. /Telegrafi/