Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) , Berat Rukiqi ka thënë se bizneset vendore kanë tendencë që ta rrisin punësimin për 13.3 për qind, krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2018.
Këto komente ai i bëri me rastin e prezantimit të rezultateve të klimës të biznesit në Kosovë për tremujorin e parë 2019.
Rukiqi tha se kjo tendencë për rritje të punësimit vije si rezultat edhe i punëve sezonale.
“Në 465 biznese e vlerësojnë gjendjen e tyre te mirë dhe të kënaqshme. Nëse shikohet trendi është një trend pozitiv. Nëse i shohim rritjet për punësim, 44 për qind e kompanive presin që të rrisin punësimin rreth 13.3 për qind më të lartë se sa në tremujorin e fundit të vitit 2018. Edhe indikatori i konfidencës ka shënuar një trend pozitiv dhe është një pjesë e mirë që mund te merret jo vetëm nga Oda Ekonomike por edhe nga institucionet tjera”, tha ai.
Rukiqi ka folur edhe për studimin që i është bërë eksportit, me ç’rast tha se përkundër potencialit që kompanitë vendore kanë për eksport, ato nuk po mund të eksportojnë mjaftueshëm.
Sipas tij, mungesa e certifikimit ndërkombëtar del të jetë pengesa kryesore e këtyre kompanive. /Telegrafi/