Site icon Telegrafi

Rukiqi: 123 ditë nga fillimi i pandemisë, asnjëra nga masat në përkrahje të biznesit nuk është zbatuar në tërësi

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka thënë që asnjëra nga masat për përkrahje të biznesit për periudhën e pandemisë nuk është zbatuar në tërësi.

Rukiqi me anë të një shkrimi në Facebook, ka thënë se, java e tjetër është vendimtare për ta shpëtuar ekonominë.

“123 ditë nga fillimi zyrtar i pandemisë në Kosovë dhe deri sot: asnjëra nga masat në përkrahje të biznesit nuk është implementuar në tërësi. Java tjetër është vendimtare për të shpëtuar ekonominë. Rishikimi i buxhetit është shpresa e fundit për mijëra e mijëra punëtorë dhe ndërmarrje të sektorit privat”, ka shkruar Rukiqi, përcjell Telegrafi.

Qeveria e kaluar e udhëhequr nga ish-kryeministri Albin Kurti kishte miratuar Pakon Emergjente Fiskale në vlerë prej 179.6 milionë euro për të mbështetur punëtorët dhe bizneset, të cilët kanë hasur vështirësi gjatë pandemisë COVID-19.

Lexo po ashtu Pandemia COVID-19, Azemi: Deri në fund të korrikut mbi 40 mijë punëtorë do të mbesin pa punë

Në këtë Pako është paraparë që punëtorët të përfitojnë nga 170 euro për dy muaj, përkatësisht prill dhe maj. Mirëpo, deri më tani, edhe pas krijimit të qeverisë së re, shumë biznese dhe punëtorë ende nuk i kanë marr pagesat e premtuara. /Telegrafi/

Exit mobile version