Nënkryetari i Lidhjes Demokratikë të Kosovës, Haki Rugova, thotë se deputeti i LDK-së, Arben Gashi, nuk është kompetent që të flasë në emër të LDK-së sa i përket marrëveshjes së VLAN.
“Ky është një vendim që merret brenda kryesisë së LDK-së, nuk mund të marrë vendime as unë, e as Arben Gashi, por e gjithë kryesia e LDK-së. Madje, Arbeni nuk është as anëtar i kryesisë”, ka thënë Rugova në një prononcim për Indeksonline.
Edhe Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri, ka thënë se marrëveshja e arritur mes LDK-së, AAK-së dhe NISMA-s është në fuqi dhe çdo gjë tjetër është mendim personal.
Ai ka thënë se vendimi i Këshillit të Përgjithshëm dhe i Kryesisë që Isa Mustafa të bëhet Kryeparlamentar është në fuqi dhe respektohet nga të gjithë anëtarët e LDK-së.
“Qëndrimi dhe vendimet e organeve kompetente të LDK-së janë të qarta, në këtë rast të Këshillit të Përgjithshëm dhe Kryesisë. Ne kemi një marrëveshje, e cila është përkrahur nga këto forume. Ajo marrëveshje është e pandryshueshme. Çdo gjë që thuhet jashtë kësaj është qëndrim individual i kujtdoqoftë që e thotë, në këtë rast z. Gashi”, ka thënë Beqiri, për Gazetën Express.
Ndryshe, Marrëveshja e arritur mes tri partive politike parasheh që Isa Mustafa të bëhet Kryetar i Kuvendit e Ramush Haradinaj Kryeministër. /Telegrafi/