Gazeta prestigjoze amerikane New York Times ka realizuar një reportazh lidhur me Gjykatën Speciale për Krime Lufte të Kosovës. Në vëmendje të gazetës amerikane është Fetah Rudi, ish-mësues dhe aktivist politik, i cili ishte plagosur 18 muaj pas përfundimit të luftës.
Fetah Rudi, një ish-mësues dhe aktivist politik, e përdor një karrige me rrota tash e 17 vjet, që kur persona të armatosur ende të paidentifikuar i kishin shkarkuar atij 14 plumba në stomak dhe në shpatull, në një incident që kishte ndodhur në afërsi të fshatit Rud.
Atij i kanë humbur shpresat për të ecur sërish me këmbë, por falë një gjykate të re për krime lufte më në fund atij i është rikthyer shpresa.
Pas 10 vitesh shtet, Kosova do të ballafaqohet me një temë të veçantë tabu: pse shqiptarët etnikë si ai vazhdonin të ishin cak të sulmeve dhe në disa raste u vranë edhe pasi torturuesit serbë kishin ikur nga Kosova, transmeton Insajderi.
Rudit i kishte humbur shpresa gjatë viteve të fundit, pasi Kombet e Bashkuara dhe më pas Bashkimi Evropian nuk arritën të jepnin drejtësi për një valë dhune që pasoi pas tërheqjes së Serbisë në Kosovë.
Në një intervistë me gazetaën prestigjoze amerikane New York Times, ish-mësuesi thotë se plumbat që gati e vranë atë në dhjetor të vitit 2000 – 18 muaj pas përfundimit të luftës dhe largimit të forcave serbe – ishin shtënë nga e njëjta armë që një muaj më parë ishte përdorur për të vrarë gazetarin Xhemajl Mustafa.
Në një artikull të publikuar sot, me titull: “Pas luftës në Kosovë, sulmet vazhduan. Një gjykatë tani premton drejtësi”, New York Times shkruan se të dy sulmet ndodhën përkundër prezencës së më shumë se 45,000 trupave të NATO-s në Kosovë, një forcë që bëri pak për të ndaluar konfliktet pas luftës në Kosovë.
Si Fetah Rudi ashtu edhe Xhemajl Mustafa ishin përkrahës të Lidhjes Demokratike të Kosovës, një grupi pacifist të udhëhequr nga Ibrahim Rugova.
Paralajmërimi i aktakuzave të para nga Gjykata Speciale për Krime Lufte e ka gëzuar Fetah Rudin, i cili ishte mbajtur në një burg sekret të UÇK-së dhe ishte rrahur dhunshëm në fund të luftës dhe, pas përfundimit të konfliktit, ai thotë se ishte në shënjestrën e UÇK-së.
Ai tha se do të largohej nga Kosova dhe do të shkonte në perëndim të Evropës me gruan e tij dhe katër fëmijë, nëse do shfuqizohej Gjykata Speciale.
Gjykata, thotë Rudi, është “mundësia e fundit për ta liruar popullin tonë”.