Të dielën Podujeva shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës, për shkak të dorëheqjes së Agim Veliut.
Kandidati i LDK-së për kryetar të Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se personalisht është i angazhuar prej 30 vitesh në aktivitete të ndryshme përfshirë edhe jetën publike në interes të qytetarëve të Podujevës.
“Qytetarëve ua njoh kërkesat, ëndrrat, dëshirat dhe mundësitë. Edhe ata më njohin mua dhe përkushtimin tim. Besoj se të dielën do të dinë të më vlerësojnë ashtu si e meritojë”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Rudari thotë se LDK-ja ka bërë fushatë korrekte dhe nuk ka pasur asnjë incident më të vogël.
“Ne kemi paraqitur mesazhe me një gjuhë të pranueshme. Jam i kënaqur edhe me gjuhën por edhe me masivitetin e pjesëmarrësve në fushatën time”.
Kandidati i LDK-së për kryetar të Komunës së Podujevës thotë se vlerëson faktin që e kanë mbështetur të gjitha strukturat e LDK-së, përfshirë ministra e zyrtarë tjerë përfshirë edhe vet kryetarin Isa Mustafa./Telegrafi/