Telegrafi

Rucker certifikoi rezultatet e zgjedhjeve – preferon koalicion të gjerë

Në një konferencë për media, shefi i administratës ndërkombëtare në Prishtinë tha se në Leposaviq, Novo Bërdë dhe Shtërpcë, duke shfrytëzuar të drejtat e rezervuara, është detyruar që të marrë vendime të veçanta. Shkak të bojkotimit të serbëve, Ruecker ka zgjatur mandatin e pushtetarëve aktual në Leposaviq edhe për 6 muaj, ndërkaq në Shtërpcë kryetari i komunës do të jetë serb, ku në asamble komunale do të ulen edhe të zgjedhurit e shqiptarëve.

Shefi i UNMIK ut tha se rasti më i komplikuar ka qenë Novo Bërdë për shkak të përbërjes së popullsisë 50 me 50. Në këtë komunë Ruecker ka vendosur që kryetari të jetë shqiptar, ndërsa shumica në asambleve komunale do të përbehet nga serbët.

Këtë vendim shefi i UNMIK ut tha se e ka marrë në bazë të tri parimeve. "Parimi i parë është se ne kemi nevoje që komunitetet të jenë të përfaqësuara në mënyrë të barabartë në strukturën komunale. Parimi i dytë është nevoja për të mbështetur të drejtën e atyre që kanë marrë pjesë në zgjedhje në mënyrë që të zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe parim i tretë është nevoja për të dërguar porosinë për ata që nuk kanë marrë pjesë në zgjedhje se nuk duhet të shpërblehen", tha Ruecker, duke mos komentuar se çka mund të ndodhë pas 6 muajsh me ketë vendim me arsyetimin se deri atëherë mund të kemi një vendim për statusin.

"Unë i kam zbatuar këto parime në pesë komuna, mirëpo zgjedhja mund të duket ndryshe për shkak të rrethanave që mbizotërojnë në komunat. Në veri nuk do t’i certifikojë rezultatet për kryetar dhe për zgjedhje komunale në bazë të zgjedhjeve të vitit 2004 në tri komunat veriore nuk janë certifikuar në bazë të pjesëmarrjes të një pjese shumë të vogël të popullatës për të votuar”, theksoi Ruecker.

Kryeadministratori ndër të tjera tha se ai preferon që Kosova ta ketë një koalicion të gjerë dhe të qëndrueshëm. "Unë e inkurajoj një koalicion qeverisës të gjerë dhe të qëndrueshëm. Unë jam inkurajues i koalicionit të gjerë", tha Ruecker. /qik/