Site icon Telegrafi

Rubio: Grenlanda është interesi ynë kombëtar, nuk është shaka

Interesimi i presidentit amerikan, Donald Trump për blerjen e Grenlandës “nuk është një shaka”, tha sot Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio në një intervistë, duke shtuar se blerja e ishullit është në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara dhe se kjo çështje duhet të zgjidhet.

Trump ka shprehur interes që Grenlanda, një territor autonom i Danimarkës, të bëhet pjesë e SHBA-së që nga rizgjedhja e tij në nëntor. Ai nuk e ka përjashtuar përdorimin e forcës ushtarake ose ekonomike për të bindur Danimarkën që ta dorëzojë atë territor.

Rubio i tha emisionit The Megyn Kelly Show në Sirius XM se Trump dëshiron të blejë Grenlandën dhe nuk përjashtoi përdorimin e forcës ushtarake.

“Kjo nuk është një shaka”, tha Rubio dhe shtoi se “nuk bëhet fjalë për të marrë tokë thjesht për ta pasur. Kjo është një çështje e interesit tonë kombëtar dhe duhet zgjidhur”, shkruan newsweek.

Kryeministri i Grenlandës, Mute Egede, i cili ka forcuar përpjekjet për pavarësi, ka deklaruar disa herë se ishulli nuk është në shitje dhe se qytetarët e tij duhet të vendosin për të ardhmen e tyre.

Në intervistë, Rubio tha se Arktiku do të bëhet vendimtar për rrugët detare dhe se Shtetet e Bashkuara duhet të jenë në gjendje ta mbrojnë atë. Ai paralajmëroi se Kina mund të përpiqet të rrisë praninë e saj në rajon.

I pyetur nëse SHBA do të zotërojë Grenlandën brenda katër vjetësh, Rubio u përgjigj “është e qartë se bëhet fjalë për një prioritet të presidentit dhe ai e ka theksuar këtë (…) Ende nuk jemi në një pozitë për të diskutuar saktësisht se si do të veprojmë taktikisht. Por ajo për të cilën mund të jeni të sigurt është se për katër vjet interesi ynë për Arktikun do të jetë edhe më i sigurt”. /Telegrafi/

Exit mobile version