Tashmë të gjithë në basketbollin kosovar e kanë të qartë se skuadra e RTV 21 nuk është ajo e vjeshtës dhe se është në gjendje ta mposhtë çdo rival pavarësisht se ku zhvillohet ndeshja.
“Viktima” e fundit ishte kampioni Trepça, e cila u deklasua në Vushtrri duke e lëshuar rastin ideal që t’i shmanget skuadrës prishtinase. Ndonëse për shumëkënd fitorja e RTV 21 në ndeshjen kundër Trepçës ishte befasi, kjo nuk vlen për trajnerin e kësaj skuadre Adin Adinoviç, i cili edhe më parë ishte i bindur se mund ta mposhtin kampionin aktual.
“Jam i sigurt se do të jemi pjesë e garave përfundimtare, madje synimi ynë është që të renditemi në pozitën e tretë dhe mendoj se ende kemi gjasa. Megjithatë, fitorja e Bashkimit ndaj Sigal Prishtinës i ka zbehur ato, por edhe kjo ndodh dhe mendoj se humbja e Sigalit ishte befasi e madhe në basketbollin kosovar”, shprehet trajneri i RTV 21 i cili në pyetjen tonë se a mos dyshon në këtë ndeshje, tha “ jo nuk është se dyshoj, por thjeshtë ishte befasi e madhe”.
Sipas llogaritjeve të tija, skuadra RTV21 me fitore ndaj Trepçës dhe Bashkimit si mysafire pothuaj do ta siguronte pozitën e tretë. “ Trepçën e mposhtëm, na mbetet edhe Bashkimi dhe synimet tona do të realizohen”, ka thënë Adinoviç për Zërin. /Telegrafi/