Në kuadër të xhiros së shtatë të BKT Superligës u zhvilluan dy takime. Sigkos Bashkimi u mposht si vendas nga ekipi prishtinas RTV 21 me rezultat 85-93, kurse Trepça arriti të nxjerrë një fitore si mysafir i Vëllaznimit me rezultat të ngushtë 71:73.
RTV 21 shënoi fitore plotësisht të merituar në qendrën sportive “Sezai Surroi” që kishte mbledhur rreth 500 shikues. Ndërkaq, kjo humbje nuk u prit mirë nga tifozët prizrenas, të cilët në fund u duartrokitën mysafirëve për fitore, kurse vendësve ua kthyen me “Marre, marre”.
Në këtë përballje u dalluan Joshua me 24 pikë dhe Sabia me 26 pikë te skuadra fituese, si dhe Valentin Spaçi me 26 pikë te skuadra humbëse.
Në anën tjetër kampioni i Kosovës, Trepça, me shumë vështirësi e ka mundur Vëllaznimin në Gjakovë, për të shënuar fitoren e katërt këtë sezon. Gjakovarët, disa herë e zvogëluan disavantazhin në 1, 2 apo 3 pikë por nuk ia dolën të barazojnë asnjë herë.
Edhe kësaj here në radhët e Vëllaznimit më i miri ishte slloveni Marsel Mihaliq, i cili shpesh ishte enigmë e pazgjidhshme për lojtarët e Trepçës. Dhe, kur në çerekun e fundit mitrovicasit arritën ta bllokojnë këtë lojtar, kjo ishte vendimtare për fitoren e Trepçës. Mjaft mirë për gjakovarët luajti edhe Denis Vrskalo, ndërsa te mitrovicasit u dallua Besnik Azemi, kurse Drilon Hajrizi nuk ishte në formën e tij më të mirë.
Sot (e enjte) zhvillohen edhe dy takime tjera të BKT Superligës: Drita – Sigal Prishtina dhe Kosova – Peja. /Telegrafi/