Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere në mbledhjen e së mërkurës ka aprovuar kërkesën e Radiotelevizionit Publik të Kosovës (RTK), për ndarjen e mjeteve buxhetore për periudhën tetor-dhjetor 2023.
Shuma e ndarë për RTK-në për këtë periudhë tre mujore është 2 milionë e 240 mijë euro.
Kryetari i këtij Komisioni, Armend Muja, tha se diskutimet për këtë pikë kanë përfunduar dhe se obligohet drejtori i përgjithshëm i Thesarit në Ministrinë e Financave që të bëjë ndarjen e këtyre mjeteve buxhetore për RTK-në.
Pika 5 dhe 6 e rendit të ditës që ka paraparë raportimin e ministrit të Financave, Hekuran Murati lidhur me kompensimin e dëmeve nga vërshimet si dhe raportimi i përfaqësuesve të Agjencisë së Statistikave lidhur me procesin e regjistrimit të popullsisë janë shtyrë për të premten me kërkesë të deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti dhe në pajtim edhe me ministrin Murati. /Telegrafi/