Site icon Telegrafi

RTK, 100% i korruptuar

A mundet vetëm një televizion të shkatërrojë një shoqëri të tërë, pa marr parasysh madhësinë në numrin e popullsisë dhe shtrirjen territoriale? Përgjigja është Po.
Kur flitet për televizionin dhe shoqërinë gjithmonë duhet të kihet parasysh thënia e atij presidenti amerikan i cili deklaroi që më parë do të qeveriste popullin amerikan (gjithë ata miliona njerëz) pa qeveri sesa pa medie. Ndoshta duket jologjike, por kjo është e mundshme – qeverisja e një vendi dhe shoqërie pa qeveri, vetëm përmes medieve.
Në Kosovë kjo ka ndodhur, por shoqëria kosovare dhe Kosova si territor është qeverisur nëpërmjet vetëm një mediumi, vetëm një televizioni – Radio dhe Televizionit të Kosovës (RTK).

Ky televizion ka qenë fuqia e vetme edhe mediale edhe kulturore edhe ekonomike në Kosovë. E ka mbajtur shoqërinë e Kosovës dhe Kosovën si territor në shuplakën e saj të dorës. Ndërkohë, duke pasur parasysh qëllimet ndërkombëtare në zhvillimet politike dhe ekonomike të Kosovës, ky televizion, pra RTK, mbeti për gati 10 vjet rresht televizioni, ose më saktësisht, timonieri i vetëm i veturës së quajtur Kosovë. E në atë veturë ishim të gjithë, pa dallim fetar, gjinor, kulturor dhe etnik. Dua të them, ndërkombëtarët e kontrollonin RTK-në dhe përmes RTK-së e kishin më të lehtë pastaj të kontrollonin dhe drejtonin zhvillimet në shoqërinë e Kosovës, ato ekonomike e veçanërisht politike.

Ky deklarim i deritashëm në fakt është krejt një deklarim ose shkrim disi i zbrazët, pa argumente dhe pa fakte e dëshmi. Kjo është, sidoqoftë, përshtypja e parë. E nëse fillojmë të mbledhim fakte e dëshmi, pra argumente, ky artikull pastaj del punim shkencor. E shkenca këtu nuk është qëllimi.

Ekziston edhe një deklarim tjetër por tashti që u shkon drejtpërdrejt gazetarëve – mjeku mund të helmojë dhe vras një pacient, por gazetari e helmon dhe e vranë një shoqëri të tërë (përsëri, pa marr parasysh numrin e tyre dhe shtrirjen territoriale). Ky përkufizim është bërë shumë vjet para hapjes së RTK-së. Ashiqare, shoqëri të ndryshme në glob kanë kaluar ndoshta në të njëjtat rrugë e zhvillime sikurse këtë periudhë kohore shoqëria e Kosovës. Sepse kur flasim për RTK-në në fakt flasim për helmim të një shoqërie të tërë milionëshe.

RTK nuk është shembull i gazetarisë, RTK nuk është shembull i publicistikës, RTK nuk është shembull i informatës, RTK nuk është shembull i shkrimit, i bashkëjetesës, i bashkërendimit, RTK nuk është shembull i dallimeve kulturore, fetare, gjinore dhe etnike. RTK bile as nuk është shembull i sportit. Atëherë shtrohet çështja: pse e kemi këtë radiotelevizion? Në fakt, e gjithë shoqëria e Kosovës e ndan të njëjtin mendim dhe dilemë: pse e kemi RTK-në?

Jo për të filozofuar, por ekzistenca duhet të arsyetohet. Shprehimisht, ajo arsyetohet me prodhimtari ose produktivitet. Që njëri të ekzistojë, duhet të prodhojë. Kaq. S’ka më shumë. Në këtë kuadër, RTK prodhon, por çka prodhon. Në kuadër të këtij shkrimi, RTK prodhon helm, sëmundje ngjitëse për të cilën nuk ka antibiotik.
Me këtë deklarim, ky shkrim mund të përmbyllet kështu dhe këtu. Por, pastaj gjërat më nuk do të ishin interesante. Sepse antibiotiku është trajtim, është terapi.

Duke e pasur parasysh RTK-në lirshëm mund të përmbyllim se krejt shoqëria e Kosovës, pa dallime fetare, gjinore, kulturore dhe etnike, ka nevojë për trajtim me antibiotikë, me diçka si antirtkbiotik. Por, investimi në këtë lloj antibiotiku është i shtrenjtë dhe i papërballueshëm për buxhetin e Kosovës ose edhe për buxhetin e familjeve veç e veç. Por, në anën tjetër, gjatë krejt këtyre dhjetë vjetëve, RTK ka thithur edhe nga buxheti i Kosovës edhe nga familjet kosovare veç e veç. Miliona e miliona e miliona euro kanë hyrë dhe vazhdojnë të hyjnë në këtë televizion.

Nëse marrim parasysh hyrjet nga reklamat (e deklaruara) atëherë në RTK kanë hyrë prej 3 deri në 5 milionë euro në vit. Për dhjetë vjet, kjo i bie diku rreth 50 milionë euro. Nëse kësaj shume i shtohen edhe hyrjet nga buxheti i Kosovës, nga parapagimi 3,5 euro në muaj dhe donacionet financiare dhe teknike atëherë matematika më e thjeshtë tregon që ky televizion ka shpenzuar mbi 150 milionë euro për dhjetë vjet. Paramendojeni, Kuvendi I Kosovës, në vitin 2010, i ndau RTK-së rreth 6 milionë euro për vetëm gjashtë muaj.

Pyetjet që shtrohen pas kësaj janë pyetje me vlerë miliona euro: si u shpenzuan dhe si shpenzohen këto para, ku shkuan dhe ku shkojnë ato, çfarë u bë dhe çfarë bëhet me to, kush u pagua dhe kush paguhet me to, cilat janë të ardhurat mujore të punëtorëve të RTK-së dhe shumë e shumë pyetje të tjera. Për dhjetë vjet rresht, askush nuk e di se ku shkuan dhe ku po shkojnë paratë tona, pra si u harxhuan dhe si po harxhohen paratë në RTK.

Paratë nuk janë problemi im kryesor kur flitet për RTK-në. Ajo që më intereson është prodhimi në RTK, pra ajo që del dhe rezulton nga RTK-ja si ekran televiziv dhe radiostacion. Sepse RTK nuk është shembull i gazetarisë, RTK nuk është shembull i publicistikës, RTK nuk është shembull i shkrimit dhe i informatës, RTK nuk është shembull i zërit, RTK nuk është shembull i programit televiziv, RTK nuk është shembull i bashkëjetesës, i bashkërendimit, RTK nuk është shembull i dallimeve kulturore, fetare, gjinore dhe etnike. RTK bile as nuk është shembull i sportit. Atëherë, përsëri shtrohet çështja: pse e kemi këtë radiotelevizion?

Një logjikë e thjeshtë mund të thotë që RTK ka mundësi të përdoret edhe si organizim ku shpërlahen paratë. Në këtë kuadër, del që Kuvendi i Kosovës t’ia ketë dhuruar RTK-së 6 milionë euro, por vetëm në letër. Por, ky deklarim është më parë spekulim ekonomik dhe pa fakte, e që, përsëri, nuk është problemi im këtu.

Përsëri, paratë nuk janë problemi kryesor kur flitet për RTK-në. Ajo që më intereson është prodhimi në RTK, pra ajo që del dhe rezulton nga RTK-ja si ekran televiziv dhe radiostacion. E ajo që del nga aty është e barabartë me helm, helm të cilin Kuvendi i Kosovës është i gatshëm ta paguajë RTK-në dhe të na bëjë edhe neve qytetarëve të Kosovës të paguajmë. Ndoshta vlen të përmendet që ky helm ka përfshirë edhe partitë tona politike, por ky nuk është problem im sepse unë nuk jam politikan.

Edhe unë jam qytetar i helmuar i RTK-së, por po provojë të tregoj se ku gjendet burimi i këtij helmi. Sepse antirtkbiotiku nuk bën punë.

Exit mobile version