Nga frika e zjarrit, të dy bashkë ishin strukur pas derës së dollapit në dhomën e tyre. Në këtë mënyrë K. TH. 6 vjeç dhe E. TH. 3 vjeç, janë përpjekur t’u shpëtojnë flakëve që kishte përfshirë të hënën në mbrëmje rreth orës 18, banesën e tyre në Pejë. Trupat e tyre të pajetë janë gjetur afër njëri-tjetrit, ndërkohë që të kota ishin përpjekjet e babait për t’i shpëtuar, njofton gazeta Express.
Gjithçka që kishte mbetur në banesën ku ky çift jetonte me tre fëmijët e tyre, dy djem e një vajzë, është një çantë e vogël e shkollës dhe disa bluza të shtrira në një litar. E së bashku me banesë, ata humbën edhe djemtë e tyre, të cilët u dogjën brenda saj. Kësaj familjeje tash i ka mbetur vetëm vajza 10 vjeçare, e cila në momentin tragjik ndodhej jashtë me nënën.
Gjithçka ndodhi kur Violeta Thaçi, nëna e dy vogëlushëve, ndodhej pak metra larg banesës me vajzën e saj. Këto të dyja kishin shkuar për blerë diçka në dyqan vetëm për pak minuta, ndërkohë që babai i tyre ndodhej në punë. Dy fëmijët e vegjël ishin vetëm në shtëpi, në momentin kur banesën nisi ta kaplojë zjarri.
Kjo tragjedi që i ndodhi familjes Thaçi, ka tmerruar gjithë qytetin e Pejës. E ata që nuk i bënë ballë asaj çfarë ndodhi të hënën, ishin vetë prindërit. Mënyra se si Florim e Violetë Thaçi, humbën dy djemtë e tyre të vegjël, dhe tentativat e kota për t’i shpëtuar, bëri që ata të dërgohen për trajtim në spitalin e Pejës.
Babai kishte prerë venat, duke u munduar që me duar t’i thyejë xhamat e banesës, kurse nëna po trajtohet për shkak të traumës dhe krizës psikike që ka përjetuar. /Telegrafi/