Ka disa ditë që hamendem a të shkruaj apo jo për përjetimet pothuajse të çdo ditshme të miat e ndoshta edhe të çdo qytetari të Kosovës, për ndërprerjen e rrymës. Do të mundohem ta bëj atë në mënyrën më të thjeshtë të mundshme, duke e lidhur edhe me copëza jete.
Jetoj në kryeqytet dhe sinqerisht nuk mund ta kuptoj se si në shekullin 21 ende kemi probleme me rrymë, me ngrohje, me ujë, me rrugë… Edhe sonte u ndal rryma dhe vendosa ta përshkruaj atë përjetim.
U ktheva nga puna e lodhur, pushova pak, u çlodha dhe sapo u ula pranë kompjuterit për të punuar në temën e masterit, m’u ndal rryma…dhe nuk është hera e parë. U nervozova, më erdhi ta thyej kompjuterin, më erdhi të shaj çdo gjë që ka ndikuar në ndaljen e rrymës.
Ndërkohë që në ato momente vërej reagimin e mbesës dyvjeçare Elzës që e merr fare normale duke u gëzuar se tash do të ndizen qirinjtë dhe ajo do të këndojë këngën “Shumë urime për ty…”.
Padashje m’u kujtua një trajnim në punë, kur derisa trajnerët gjermanë ishin duke na shpjeguar diçka, u ndal rryma. Ne ishim dëshmitarë të përvojës së tyre të parë që pas moshës 30 vjeçare e përjetonin ndaljen e rrymës…
Më dhimbset vetja, më dhimbsen të gjithë nxënësit dhe studentët e këtij vendit, që ende duhet të përballemi me kushte lufte. Mundohem ta paramendoj se sa ndikon rryma në arsimimin tonë edhe ashtu të dobët. Do të doja ta di edhe sa kohë do të zgjasë kjo errësirë në shtëpitë e mendjet tona?!
Unë nuk e kuptoj pse dikur Kosova kishte mjaft rrymë, e sot nuk ka?! A mos është faji te ne qytetarët që nuk protestuam kurrë për të kërkuar gjërat elementare për një jetë normale?! Dua ta di se kur rryma nuk do të ma lërë në gjysmë mësimin, kur nuk do të ma ndërpresë filmin, gatimin, dritën???