Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski, drejtori i ndërmarrjes publike për rrugë shtetërore, Ejup Rrustemi dhe kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko, sot kryen kontroll në punët ndërtimore të rehabilitimit në rrugën rajonale Strugë – Qafë Thanë.
Rehabilitimi, siç njofton Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, realizohet në gjatësi prej 19,3 kilometrave, në shtrirje nga qarkorja Podmolje deri në vendkalimin kufitar Qafë Thanë.
Sipas informatës, është paraparë rehabilitim i plotë në drejtimin rrugor me vendosje të asfaltit, investim në vlerë prej tetë milionë eurove.
Drejtimi rrugor Strugë – Qafë Thanë, sipas ministrit Boçvarski, është shumë me rëndësi, sepse ndërlidhet me Republikën e Shqipërisë dhe është pjesë e Korridorit 8.
“Me mjete nga NP për rrugë shtetërore e rehabilituam, në mënyrë që të mundësojmë lidhje cilësore rrugore për qytetarët e Strugës, Ohrit, Dibrës dhe para së gjithash për shkak të ndërlidhjes rajonale. Kemi obligim të krijojmë rrjet cilësor rrugor nëpër shtet dhe këtë vit kemi aktivitet të fuqishëm investues që ta arrijmë atë. Ky drejtim rrugor është pjesë e planeve tona investuese dhe deri në vjeshtë planifikojmë të përfundohet”, deklaroi Boçvarski.
Drejtori i NP për rrugë shtetërore Rrustemi vlerësoi se deri më tani janë realizuar mbi 20 për qind të punëve ndërtimore.
“Me projektin është paraparë rehabilitimi i plotë i rrugës deri tek vendkalimi Qafë Thanë. Rruga është me dy korsi prej 3,5 metrave, ndërsa është planifikuar të vendosen edhe bankina të reja. Është paraparë të rehabilitohen edhe tre ura në drejtimin rrugor. Me rehabilitimin do ta ngrisim sigurinë në komunikacion në këtë rrugë. Pres deri në tetor rrugën tërësisht ta rehabilitojmë”, tha Rrustemi.
Rikosntruimi i këtij drejtimi rrugor për kryetarin e Komunës së Strugës, është me rëndësi të madhe për shkak të ndërlidhjes rajonale, zhvillimit ekonomik dhe zhvillimit lokal të rajonit./Telegrafi/