Site icon Telegrafi

Rrustem Aliaj jep dorëheqje nga posti i presidentit të FC Suharekës

FC Suhareka është befasuar në momentet e fundit nga presidenti i tyre, Rrustem Aliaj.

Përmes një postimi në Facebook, Aliaj ka bërë të ditur se ka ofruar dorëheqjen e tij nga posti aktual.

“E nderuar Kryesi e Klubit të Futbollit FC Suhareka, të dashur lojtarë, staf dhe tifozë të klubit”, fillon letra e presidentit të FC Suharekës.

“Me këtë letër, dëshiroj t’ju njoftoj për vendimin tim për t’u tërhequr nga pozita e Presidentit të FC Suhareka”.

“Ky vendim është marrë pas një periudhe të gjatë reflektimi dhe me mendimin më të mirë për të ardhmen e klubit”.

“Ka qenë një nder i madh dhe privilegj të jem pjesë e këtij klubi të mrekullueshëm, duke pasur mundësinë të kontribuoj në zhvillimin e tij dhe në përparimin e futbollit në komunitetin tonë”.

“Së bashku kemi kaluar momente të paharrueshme, sfida të mëdha dhe suksese që na kanë forcuar si ekip dhe si familje”.

“Duke potencuar se klubin po e lë në një pozitë stabile ne Superligën e Kosovës gjindemi me meritë ne pozitën e pestë me gjasa reale qe ne sezonin pranveror te synojmë garat evropiane si dhe ne garat e Kupës së Kosovës jemi te kualifikuar ne 1/8 e finalistëve”.

Megjithatë, besoj se tani është momenti i duhur për një ndryshim dhe për t’i hapur rrugë energjive të reja që mund ta çojnë klubin në nivele edhe më të larta.

Dëshiroj të falënderoj nga zemra të gjithë ju që keni qenë pjesë e këtij rrugëtimi: lojtarët për përkushtimin dhe punën e palodhshme, stafin për profesionalizmin e treguar dhe tifozët tanë të jashtëzakonshëm për mbështetjen e tyre të pandërprerë.

Edhe pas largimit tim, mbetem një mbështetës i zjarrtë i FC Suhareka dhe besoj fuqishëm në potencialin e këtij klubi për të arritur suksese edhe më të mëdha”, ka shtuar më tej Aliaj. /Telegrafi/

Exit mobile version