Site icon Telegrafi

Rrugëtimi i vetmuar i Lutfi Hazirit me idenë për korrigjim të kufirit me Serbinë

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh kryetar i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, aktualisht është i vetmi politikan në Kosovë që risjellë në diskutim idenë e ndryshimit të kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Në prag të takimit të liderëve të Kosovës dhe të Serbisë që është paralajmëruar të mbahet në muajin shtator në Shtëpinë e Bardhë, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, Haziri, insiston se Lugina e Preshevës duhet t’i bashkëngjitet Kosovës dhe se në këmbim të kësaj, Serbia mund të marrë Komunën e Leposaviqit në veri të Kosovës si dhe 17 fshatra.

“Shqiptarët si shumicë në këto tri komuna (Lugina e Preshevës), t’i bashkohen atdheut të vet dhe të mos jetojnë në shtetin të cilin nuk e duan, nuk e dëshirojnë, por janë të detyruar të jetojnë. Ndërsa Leposaviqi dhe 17 fshatra, si shumicë absolute serbe, t’i bashkëngjiten Serbisë, t’i kthehet Serbisë si shtet dhe të mos detyrohen të jetojnë në Republikën e Kosovës sepse nuk po e njohin dhe nuk po e duan”, thotë Haziri.

Haziri thotë se kjo çështje mund të zgjidhet sidomos tani kur Kosova është duke kaluar nëpër procese negociuese me Serbinë e nga të cilat synohet njohje reciproke.

Çështjen e lëvizjes së kufijve, Haziri e ka ngritur sidomos tani në prag të takimit të paralajmëruar për në shtator në Shtëpinë e Bardhë, mes kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Por, i pyetur nga Radio Evropa e Lirë nëse delegacioni i Kosovës duhet që të iniciojë çështjen e shkëmbimit të territoreve qoftë në takimin e Uashingtonit apo në takimet e Brukselit, Haziri, nuk jep ndonjë përgjigje të prerë.

“Nuk besoj se është pjesë e tavolinës as në formatin e Brukselit as në formatin e takimit në Shtëpi të Bardhë sepse ekonomia do të jetë në fokus në takimin e Uashingtonit, ndërsa në Bruksel janë çështje krejt të tjera”, thotë Haziri.

Haziri: LDK-ja mendon ndryshe nga unë

Zyrtarë të LDK-së, vazhdimisht kanë kundërshtuar idenë e korrigjimit të kufirit apo shkëmbimit të territoreve.

Vetë kryeministri Avdullah Hoti ka deklaruar se nuk lejon që në kuadër të negociatave me Serbinë të diskutohen këto çështje.

Të mërkurën, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj duke iu referuar partnerit qeverisës, LDK-së dhe deklaratës së Lufti Hazirit për dhënien e Leposaviqit dhe 17 fshatrave, akuzoi këtë subjekt për paqëndrueshmëri në tema të interesit nacional.

Por, Lutfi Haziri thotë se çështja shkëmbimit të territoreve apo siç preferon ta quajë ai, korrigjimit të kufirit, është ide personale e tij dhe se LDK-ja në platformën e saj për negociatat me Serbinë, kundërshton lëvizjet e kufijve.

“Shumica politike e LDK-së dhe LDK-ja, kryetari i saj dhe strukturat e kanë platformën politike të bazuar në parimin e sovranitetit, territorit, kufirit dhe kushtetutës së Kosovës si të pacenueshme në dialog si dhe zotëri (Ramush) Haradinaj, (Hashim) Thaçi, (Kadri) Veseli nuk kanë nevojë të shqetësohen sa i përket qëndrimit të LDK-së”, thotë Haziri.

E drejta e bashkimit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës me Kosovën, sipas Hazirit, bazohet në referendumin e 1 dhe 2 marsit të vitit 1992 dhe në rezolutën e Kuvendit të Kosovës, për Luginën e Preshevës që u votua në vitin 2013.

BE-ja nuk pranon temën e kufijve

Kosova dhe Serbia rifilluan së fundi procesin e bisedimeve në Bruksel, pas gati dy vjet ndërprerjeje. Por, lehtësuesi i këtij procesi të bisedimeve, Bashkimi Evropian, nuk është i gatshëm që të përfshijë çështjen e ndryshimit të kufijve në tryezën e bisedimeve.

Një zëdhënës i Bashkimit Evropian i ka thënë Radios Evropa e Lirë se shkëmbimi i territoreve nuk i kontribuon stabilitetit në rajon.

“Roli i BE-së është të lehtësojë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, për të siguruar që vlerat dhe standardet e BE-së respektohen dhe që çdo marrëveshje është në përputhje me ligjin ndërkombëtar, i pranueshëm për shtetet anëtare dhe të kontribuojë në stabilitetin në rajon. Ideja e shkëmbimeve të tokave bën të kundërtën”, thuhet në përgjigjen e Bashkimit Evropian.

BE-ja e bazon kundërshtimin e saj edhe në reagimet negative që kanë shfaqur për këtë temë shtetet e Ballkanit si dhe të Bashkimit Evropian.

“Reagimet e kaluara shumë negative nga rajoni, përfshirë Kosovën dhe Shtetet Anëtare [të BE-së], kanë treguar se çdo ide për ndryshimin e kufijve është jashtë tavolinës’’, thuhet në përgjigjën e Bashkimit Evropian.

Kosova humbi dy vjet me temën e kufijve

Njohësja e proceseve politike në Kosovë, Donika Emini, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova ka humbur dy vjet në procesin e bisedimeve për shkak se shumica dërmuese në Kosovë ka refuzuar çfarëdo mundësie që të ketë ndryshim të kufijve.

Emini thotë se është e pakuptimtë që të mendohet se Serbia pranon që të japë pjesë të territorit të saj si dhe të njohë pavarësinë e Kosovës.

“Ne i kemi kaluar gati dy vjet duke e refuzuar ndoshta edhe përfshirjen e SHBA-së, sidomos Richard Grenellin, pikërisht për shkak të kësaj ideje dhe konsiderimit që kjo ide është e rrezikshme për Kosovën dhe tash kur kjo temë nuk është më në tavolinë dhe nuk është aktive siç ka qenë më herët, zoti (Lutfi) Haziri po dëshiron ta rikthejë dhe kjo shkon kundër partisë së tij dhe shumicës në Kosovë”, thotë Emini.

Rikthimi i temës së kufijve është i rrezikshëm sipas Eminit për shkak se Kosova aktualisht po kalon krizën më të madhe sa i takon pozicionit ndërkombëtar.

“Shkëmbimi i territoreve, është një plan të cilin ndoshta edhe po të kishim qenë tepër të konsoliduar, kishte qenë rrezik të hapet e lërë me në momentin kur Kosova po kalon krizën më të madhe politike por edhe një pozicion tepër të dobët ndërkombëtarisht”, thotë Emini.

Tahiri: Kosova tradicionalisht pa unitet në negociata

Politologu Ramush Tahiri thotë se Kosova asnjëherë nuk ka pasur unitet sa i takon proceseve negociuese me Serbinë.

Andaj edhe rikthimin e temës së ndryshimit të kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë, Tahiri e sheh si mungesë të një platforme të qartë të institucioneve të Kosovës për bisedimet Kosovë-Serbi.

“Kosova po ka mospajtime me bashkësinë ndërkombëtare, në këtë rast edhe me SHBA-në dhe me Bashkimin Evropian sepse nuk e ka të qartë vizionin e saj se çfarë pret prej bisedimeve me Serbinë dhe si e sheh ndërtimin e të ardhmes së saj”, thotë Tahiri.

Tahiri thotë se moskoordinimi në procese dialoguese ka shkaktuar pasoja të mëdha për Kosovën. Për këtë arsye sipas tij, procesi i dialogut ka rrëzuar disa qeveri si dhe negociatat konsiderohen si procesi me mbështetjen më të ulët popullore në Kosovë.

Ndryshimet e kufirit, temë jopopullore në Kosovë

Çështja e ndryshimit të kufijve nxiti debate të ashpra në mes të skenës politike në Kosovë. Për këtë temë, ndër të parët foli presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Duke e quajtur korrigjim të kufirit, presidenti Thaçi kishte thënë se bashkimi i Luginës së Preshevës me Kosovën është zgjidhje e duhur për të arritur paqe në Ballkan.

“Marrëveshja paqësore e bazuar në korrigjimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në rast se arrihet, do të jetë krejtësisht në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Një marrëveshje e tillë, Kosovës i siguron njohjen formale nga Serbia, i siguron bashkëngjitjen e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës”, kishte shkruar para një viti presidenti Thaçi në një shkrim autorial.

Diskutimin për idenë e korrigjimit të kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë e kishte mbështetur edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, mirëpo kishte thënë se ka pasur kundërshtim të madh nga fuqitë perëndimore.

Përveç Vetëvendosjes, idenë e propozuar asokohe nga presidenti Thaçi e kanë kundërshtuar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës si dhe Partia Demokratike.

Në muajin shtator, në Shtëpinë e Bardhë në Uashington pritet që të zhvillohet një takim mes kryeministrit Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, por në këtë takim është thënë nga të gjitha palët se do të diskutohet vetëm për çështje ekonomike.

Në Bruksel, po ashtu është paraparë një takim i nivelit të lartë mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, mirëpo edhe atje, në takimin e parë u tha që u diskutua për çështje të ekonomisë, të pagjeturit si dhe dëmet e luftës.

Exit mobile version