Telegrafi

Rrugëtimi i suksesshëm i Nadire Gjoshi Muqakut, me prodhimin e çantave arriti të depërtojë përtej kufijve të Kosovës

Prej pesë vitesh, Nadire Gjoshi Muqaku ka themeluar dhe zhvilluar me sukses biznesin e saj, i cili fokusohet kryesisht në prodhimin e çantave për fëmijë dhe të rritur.

Falë përvojës së saj prej 35 vitesh në punë dhe talentit që ajo ka, Nadire Gjoshi Muqaku ka arritur të zgjerojë biznesin përtej kufijve të Kosovës. Çantat e saj janë shumë të kërkuara në rajon, në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në një intervistë për Telegrafin, ajo ka thënë se ideja për të hapur biznesin e saj ka lindur pasi ka njohur shumë mirë punën e tekstilit.

“Kam punuar me makinë për tridhjetë e pesë vjet. Çantat i prodhojmë për të gjitha moshat, nga një deri tri vjet, e deri te të rriturit. Ideja për biznesin ka lindur pasi unë e kam njohur punën dhe kam dashur të krijoj një çantë unike dhe pse jo të prodhohet në Kosovë,” theksoi ajo.

Gjoshi-Muqaku thotë se familja e ka mbështetur në fillimet e saj të biznesit, por përmendi edhe kompaninë gjermane HELP, që e kanë ndihmuar me blerjen e makinerive të rrobaqepësisë.

Në biznesin që ajo ka themeluar janë të përfshirë bashkëshorti dhe dy djemtë e saj.

Sa i përket furnizimit të materialeve, ajo tha se kryesisht furnizohen në Kosovë.

Në intervistë, ajo rrëfeu se ka krijuar rreth gjashtë çanta brenda një dite.

“Nuk e kam të ndarë me orë, por kur kam filluar kam punuar me seri. Për shembull, tri çanta e katër gjithmonë dhe derisa i kam përfunduar. Numri më i madh i çantave ka qenë pesë-gjashtë në ditë,” pohoi ajo, duke shtuar se varësisht nga kërkesat e klientëve, ajo mund ta përfundojë prodhimin e tyre.

Përveç Kosovës, çantat e “Nada Bags” shiten edhe në vendet e rajonit, Evropë dhe SHBA.

Gjoshi-Muqaku thotë se kjo punë është mjaft fitimprurëse, por më shumë e lumturon fakti se klientët e saj ndahen të kënaqur me produktin që marrin.

Ajo fton të gjitha femrat të përkushtohen në punë, pasi me vullnet të mirë mund të arrihet çdo gjë. /Telegrafi/