Site icon Telegrafi

Rrugëtimi i Shoshit drejt ëndrrës amerikane

Paraqitja në skenën e madhe të basketbollit universitar në SHBA ka bërë që basketbollisti i ri kosovar Lis Shoshi të forcojë ëndrrën që një ditë të luajë në NBA.

Lis Shoshi ishte larguar në vitin 2013 nga Kosova si emër i panjohur i basketbollit. Ai kishte luajtur pak ndeshje në qytetin e Pejës, ndërsa 21-vjeçari së fundi është paraqitur në turneun e Divizionit të parë të NCAA-së, ku paraqiten ekipet më të mira dhe lojtarët më të mirë të universiteteve amerikane.

Shumë prej lojtarëve që paraqiten në këtë turne të ardhmen e shohin në NBA. Një ëndërr të tillë e ka edhe shtatlarti pejan, shkruan sot Koha Ditore.

Ai aktualisht është pjesë e Arkansas Little Rock Trojans. Little Rock ishte një prej 68 skuadrave që u paraqitën në këtë edicion të turneut të NCAA-së. Skuadra e Shoshit bëri befasi duke fituar përballjen e parë ndaj Purdue Boilermakers me shifrat 85:83. Në atë ndeshje Shoshi shënoi 14 pikë, ndërsa shtoi edhe nëntë kërcime për 31 minuta lojë. U tregua vendimtar në çastet e fundit të takimit. Little Rock megjithatë u ndal në rrethin e dytë. U mposht 78:61 të shtunën mbrëma nga Iowa State Cyclones. Shoshi në parket i kaloi 20 minuta, ndërsa kontribuoi me 10 pikë e dy kërcime.

“Vetë paraqitja në këtë turne ishte sukses shumë i madh. Vitin e kaluar në stinor të rregullt skuadra i kishte 13 fitore, ndërsa sivjet arritëm në 30 fitore dhe kjo tregon për ngritjen që kishim”, ka thënë Lis Shoshi për gazetën.

“Paraqitja në turneun e NCAA-së ishte eksperiencë e mrekullueshme. Të luash para 20 mijë shikuesve është diçka e veçantë. Bëhet fjalë për një ngjarje të madhe, shumë të përcjellë nga tifozët dhe mediat. Në muajin mars të gjithë në SHBA e përcjellin këtë ngjarje. Është ngjarje që ka paraqitje të gjerë në televizionin kombëtar”, ka shtuar Shoshi.

Exit mobile version