Site icon Telegrafi

Rrugëtim në vite, pranë Dritëroit…

Spartak Braho

Në katër vitet e mija studentore, por veçanërisht pas viteve ‘90, kam qenë në kontakte e rrugëtim të vazhdueshëm me Driteroin. Pothuajse në të gjithë Shqipërinë, nga Tirana e Pogradeci, nga Skrapari e Himara, nga Korça, Durrësi e deri në Menkulasin e tij… Katër vjet, 1997-2001, qëndruam të ulur pranë një tavoline të sallës së Kuvendit të Shqipërisë si deputetë. Në fund të ditës po së bashku ngjisnim shkallët e pallatit në fund të rrugës së Dibrës në Tirane ku ai banonte dhe unë largohesha pasi ia “dorëzoja” të mirës Sadije.

Ishte Sadija ajo që na nxiti të shkruanim disa radhë kujtimesh me rastin e dyvjetorit të vdekjes së tij, por është e pamundur këto të thuhen vetëm në disa faqe e të përshkruhen episode të tëra të lidhjeve tona tepër njerëzore. Unë si student i tij, dashamirës i letërsisë, mik e shok, mësues që e ndjeja veten si nxënës kur ai fliste, por edhe si bashkëshoqërues jo vetëm në jetën politike, por edhe në davete e muhabete tavolinash ku përzihej rakia e mishi, qejfi e ahengu në raste që ai i krijonte dhe i shijonte po me aq lezet.

Por, le të kujtoj disa nga këto episode të jetës në vite…

Mësimi nga gabimet ose si na e hodhi Xhebro Gjika në Vlorë

Në fillim të viteve ’70, ndonëse nuk e kisha menduar më parë, unë u regjistrova në degën e gazetarisë të Fakultetit të Shkencave Politike e Juridike. Pedagogët e kësaj dege ishin figura të njohura të gazetarisë shqiptare, si Zihni Reso, Hamit Boriçi, Vangjush Gambeta, Dritëro Agolli, Xhiku etj. Ndryshe nga leksionet e pedagogëve të tjerë, Dritëroi nuk na jepte leksione klasike për degën e gazetarisë. “Leksionet” e profesor Dritëroit ishin në copa letrash në formën e skedarëve ku ai mbante shënime e histori personale nga puna e tij si gazetar.

Ja ç’na tregoi ai për një ndodhi që i kishte ndodhur një gazetari të ri, të cilin Dritëroi e kishte dërguar të bënte një reportazh për rezultate të larta te një kooperative të Labërisë në Lumin e Vlorës. Gazetari i ri takoi kryetarin e kooperativës, të njohurin Xhebro Gjika, një ish-partizan dhe kuadër i bujqësisë. Gazetari iu prezantua kryetarit të kooperativës se vinte nga gazeta “Zëri i Popullit” dhe se kërkonte informacion për arritjet e kooperativës, por i tha se nuk dua të më fshehësh edhe të metat. “Ja”, vazhdoj Xhebroja, i njohur për humorin e tij, “kudo na ka ecur puna dhe kemi rezultate, vetëm në një sektor kemi ngecur”. “Ku?”, e pyeti gazetari me këmbëngulje. “Jemi keq me pjelljen e mushkave; kemi mbetur mbrapa e s’po bëjmë tutje”.

Gazetari u kthye në redaksi me një goxha reportazh dhe ma dorëzoi materialin me kënaqësi se kishte zbuluar edhe sukseset, por edhe gabimet. E lexova me kujdes dhe kënaqësi se më pëlqeu reportazhi i gazetarit të ri, por kur arrita te episodi i zhvillimit të sektorit të pjelljes së mushkave e pashë që Xhebro Gjika ia kishte hedhur. E thirra dhe i thashë, ore po këtë punën e mushkave seriozisht e ke? “Po, po”, më tha. Po mirë more, a nuk e di ti se mushka ka baba gomarin e nënë pelën. E ku pjellin mushkat more i uruar…

“Ja kështu ka ndodhur kur nuk njeh jetën e fshatit”, përfundoi leksionin Dritëroi, “prandaj gazetarë të ardhshëm i njihni faktet e jetës ashtu siç janë, thellohuni në to, se ndryshe gaboni e tallen njerëzia kur lexojnë të tilla broçkulla”.

Ja, ky ishte një nga mësimet e porositë që na jepte Dritëroi, histori të cilën mund ta ketë shkruar e treguar edhe gjetkë, por në ato vite të parët që kishin dëgjuar ishim ne studentët e degës së gazetarisë, Zenepja, Frroku, Ilirjani, Tomorri, Doloreza, Apostoli, Arminda etj.

Një skraparas i mençur më ndryshoi mua rrjedhën e jetës

Gjatë viteve 1980-90, shpesh gjendeshim familjarisht në Pogradec. Dritëroi e donte dhe e vlerësonte çdo gjë pogradecare – njerëzit, klimën, ushqimin, pijen, shoqërinë, intelektualët me në krye Lasgush Poradecin. Po në këto relacione isha dhe unë me Pogradecin e një nga fshatrat e tij të bukur buzë liqenit, Tushemishtin. Takoheshim rregullisht te hoteli i Pandit, “Mileniumi”, Dritëroi me Sadijen, Anën e mbesat e tjera të tij, dhe unë me Anidën dhe dy djemtë e mi. Një ditë tek flisnim për letërsinë e politikën, më pyeti: “Ore Spartak, ti je me origjine nga Skrapari”. “Po”, ju përgjigja, “por banoj në Durrës prej shumë vitesh”. “Keni raki të mirë ju skraparllinjtë”, vazhdoi ai, “por ju skrapallijntë keni dhe një fjalë të urtë që thotë: Nusen edhe kaun merre nga fshati. Kjo Anida, gruaja jote është mbesa e Kahreman Yllit apo jo? Më ngacmoj muhabetin ai, por a e di ti se unë u bëra shkrimtar vetëm në saje të Kahreman Yllit” dhe vazhdoje të më tregojë historinë se si ishte bërë gazetar e shkrimtar…

“Vazhdoja Gjimnazin e Gjirokastrës, në vitet 1950;mësoja shumë dhe ëndërroja shumë të bëhesha një veteriner i zoti. Isha djalë fshati dhe nuk kishte gjë më të bukur për mua të merresha me kafshët e bimët dhe donja në mënyrë të veçantë kuajt e zogjtë. Veteriner ishte zanati që kërkoja të arrija, ndërsa letërsia ishte pasioni im rinor ku unë angazhohesha tek shkruaja ndonjë vjershë apo tregim të shkurtër të cilat i afishonim te Këndi i Letrarit të Ri të shkollës. Një ditë në shkollë vjen ministri i Arsimit i asaj kohe, Kahreman Ylli, siç e mbaj mend një burrë i gjatë, i pashëm e i veshur me sqimë. Ai shëtiti klasë më klasë, takoi mësues e pedagogët tanë dhe u ndal edhe tek Këndi i Letrarit të Ri. Lexoi me kujdes disa shkrime e ndër to dhe një vjershën time. Me sa duket i pëlqeu, pasi i kërkoi mësuesit tim të letërsisë për të ditur më shumë kush është ky nxënës me emrin Dritëro Agolli. Unë u afrova dhe u prezantova, ai më hodhi dorën në qafë e më përgëzoi për vjershën. ‘Për çfarë dëshiron të studiosh?’, më pyeti. ‘Për veteriner’, iu përgjigja me një frymë. ‘Më pëlqejnë kafshët’, vazhdova unë shpjegimin. Ai qeshi. ‘Shumë mirë’, më tha dhe nuk e zgjati bisedën. Kaluan kohë dhe mua m’u plotësua dëshira të vazhdoja shkollën e lartë për veterinari, por mbas ca ditësh më njoftuan se e drejta e studimit për të vazhduar veterinarinë ishte anuluar. Unë do të shkoja për studime në letërsi në Leningrad (Shën Peterburg). ‘Ka urdhëruar ministri’, më thanë dhe unë u nisa në Bashkimin Sovjetik, vazhdova për letërsi për t’u bërë gazetar e shkrimtar. Kështu ai skrapaliu jot i dëgjuar e i respektuar, ma ‘prishi’ ëndrrën e veterinerit”!

Në Athinë me Aristidh Kolën dhe Dino Kubatin

Ka qenë vera e vitit 1996, kur unë rastësisht takova në Hotel Tirana një vajzë me origjinë nga Tepelena e cila kishte ardhur në Tiranë me burrin e saj, shkrimtarin e njohur Dino Kubati. Në muhabet e sipër, ata më pyetën dhe më kërkuan nëse mund të organizonim një takim në Athinë me shkrimtarë dhe intelektualë grekë. Familja Kubati banonte në ishullin e Salaminës, ku zotëronin edhe një stacion radiofonik që transmetonte gjithë ditën muzikë shqiptare. Bisedova me Sadijen dhe më pas me Dritëroin, programuam edhe vizitën që do të bënim në Athinë dhe u nisëm bashkërisht.

Në Athinë e kishim rregulluar që të banonim ato ditë të qëndrimit tek një miku im emigrant, sindikalist i vjetër Myftar Kurti, i cili na hapi dyert e shtëpisë me kënaqësinë më të madhe e zemërgjerësi duke krijuar dhe një ambient mjaft të këndshëm. Të nesërmen, mikpritësi ynë Dino Kubati, kishte organizuar takimin në një ambient shumë luksoz të Akademisë në Athinë, me intelektualë dhe disa shkrimtarë grekë, por nuk mungonin as emigrantët shqiptarë. Ç’është e vërteta, Dritëroi ashtu siç e kishte zakon përpara takimit, i rrëkëlleu nja dy gota dhe pas prezantimit që i bëri mikpritësi e mori fjalën mjaft i entuziazmuar. Duke qenë se Dinua e prezantoi Dritëroin si shkrimtarin më të madh shqiptar, kur e mori fjalën tha me humorin e tij të këndshëm “se unë jam jo vetëm shkrimtari më i madh shqiptar, por edhe më i madh në Ballkan. Këtu në Greqi mua ma kalon vetëm Nikos Kazanzaqis, por ai ka vdekur”. Salla qeshi me të madhe dhe Dritëroi vazhdoi me humorin e tij duke folur për letërsinë shqiptare, por edhe shkrimtarë të tjerë të Ballkanit, me atë zërin e tij të shtruar.

Më pas duke falënderuar popullin grek për pritjen që u kishte bërë emigrantëve shqiptarë, ai vazhdoi se këtu në Greqi prej qindra vjetësh jetojnë miliona shqiptarë të vjetër që ju dhe në i quajmë arvanitas. “Këta arvanitasit”, theksoi Dritëroi, “kanë luajtur një rol të madh për kulturën greke, por edhe një rol të madh patriotik pasi disa nga udhëheqësit kryesorë të revolucionit grek të vitit 1891 kanë qenë arvanitas” dhe përmendi me radhë një sërë emrash prej tyre. “Edhe sot në kohet moderne arvanitasit kanë luajtur një rol të rëndësishëm, sepse ja ministrja juaj e Kulturës, Melina Mërkuri, apo ministri i Jashtëm Pangallos, janë arvanitas”. Dhe, me të qeshur tha se do t’u them një fjalë të urtë greke që e përdorni ju këtu në Greqi: “Poshtë çdo shkëmbi po ta ngresh do të gjesh një arvanitas”.

Salla reagoi me ovacione kuptohet, sepse një pjesë e mirë e saj ishin emigrantët shqiptarë të pranishëm.

Në mbrëmje të ftuar nga studiuesi dhe publicisti i madh arvanitas Aristidh Kola, ne shkuam në shtëpinë e tij ku kaluam një mbrëmje të gëzuar dhe, para se të ndaheshim, ky personalitet i madh na dhuroi të gjitha botimet e tij për çështjen arvanitase. “Të presim”, i tha Dritëroi, “të vish edhe ti në Shqipëri bashke me këtë greken tënde që ke për grua”. “Do vi”, u pergjigj Aristidh Kola, por pas ca kohësh ndodhi që ai në rrethana ende të pashpjeguara mirë, vdiq.

Të hëngërt dreqi Lekë Dukagini !

Gjatë vitit 97-2001, së bashku me Dritëronë qëndronim të ulur në radhën e parë të karrigeve të sallës së Kuvendit të Shqipërisë. E ndiqja me vëmendje tërë kohës që ai shumicën e kohës shkruante në copa letrash, mbante shënime pa e patur shumë mendjen në sherret që në ato vite ishin pothuajse në çdo seancë. Më ka mbetur në kujtesë një episod i atyre viteve kur deputeti Gafurr Mazreku, pas një grindjeje fizike me deputetët Azem Hajdari e Pal Dajçi, të nesërmen erdhi me pistoletë në sallë dhe qëlloi disa herë në drejtim të Azem Hajdarit. E tërë atmosfera pas këtyre ngjarjeve u tensionua dhe Dritëroi, që nuk e kishte ndjekur ngjarjen me vëmendje, më pyeti: “Çfarë ndodhi”? “Gafurri ka plagosur Azemin”, i thashë. Tundi kokën me keqardhje dhe lëshoi një frazë të cilën aty për aty nuk e kuptova: “Të hëngërt dreqi Lek Dukagjini!”, ishte fraza e tij, duke e lidhur këtë ngjarje me hakmarrjen. “Azemi është nga Tropoja, ndërsa Gafurri nga Hasi, e të dy e kanë mendjen te Kanuni i Lekë Dukagjinit, nuk janë çliruar prej tij”, tha ai i menduar.

Demokratët e Skraparit janë si socialistët e Tiranës

Kishim vajtur në Çorovodë së bashku me Dritëroin, Fehmi Abdiun, Bashkim Cakën dhe Moikom Zeqon për disa takime elektorale. Populli kishte mbushur sheshin, por ama tek njerëzit shikohej një farë shqetësimi për praninë e forcave të policisë dhe të SHIK-ut. “Mos kini frikë nga njeri”, buçiti zëri i Dritëroit, sepse këtu janë trimat e malokut Sali Berisha, por ne kemi edhe një malok tjetër pozitiv, Fehmi Abdiun, kemi juristin e shquar Bashkim Caka, kemi poetin e madh Moikom Zeqo dhe skraparlliun trim Spartak Braho, por këtu me ne janë dhe demokratët e Skraparit, sepse demokratët e Skraparit janë njëlloj si socialistët e Tiranës.

I tërë sheshi gumëzhiti nga të qeshurat e duartrokitjet nga këto fjalë të Dritëroit.

President do të zgjedhim xha Cilen nga Tushemishti

Ishte qershori i vitit 2002 kur partitë kërkonin kandidatura për presidentin e radhës. Ishim vendosur tek hotel “Mileniumi” kur atje mbërriti edhe gazetari Alfred Peza, i cili i kërkoi një intervistë Dritëroit. Ç’mendim keni ju Dritëro, cilin duhet të zgjedhim si President? Dritëroi u mendua një copë herë.

“Po ja tha, unë do të mendoja se presidenti më i mirë do të ishte xha Cilja (Vasil Llakmani ), një fshatar i mençur nga Tushemishti me të cilin Dritëroi kalonte tërë kohën bashkërisht duke llafosur e duke pirë ndonjë gotë verë apo raki. A e ngrejmë një gotë për shëndetin e xha Ciles dhe të behet ky president i Republikës. Hajde gëzuar” dhe e rrëkëlleu gotën me fund me sytë si i zënë në faj nga Sadija. “Hë Spartak, sot kemi bërë një punë të madhe, kemi zgjedhur dhe presidentin” dhe qeshi nën zë me sytë nga liqeni i Pogradecit, tek hoteli ku kaloi shumë vite e kohë të periudhës së verës me Sadijen, fëmijët, nipërit dhe mbesat e tij, me shokët bashkëmoshatarë, Aqifin e Ibrahimin…

***

Nga Dritëroi kam një kujtim të paharruar, kam një kartolinë të zakonshme, por me një dedikasë e cila sa herë e lexoj më prek dhe e ruaj si gjënë më të çmuar prej tij. Ku shkruan:

“I dashur Spartak,

Të uroj mirësi jo vetëm për vitin e ri 2014, por edhe për vitet që vijnë. Mirësi për Nidën, djemtë e tu që janë të dashur dhe të gjithë të afërmit e tu që janë fisnikë. Ti je për mua një mik me vlera që unë të çmoj shumë, të çmoj edhe për heshtjen tënde, heshtje që ti flet! Rrofsh !

Dritëro Agolli

17.12.2014”

 

Exit mobile version