Telegrafi

Rrugët të kalueshme në Mitrovicë

Shtabi i Emergjencës në Komunën e Mitrovicës, gjatë takimit mbrëmë në orët e natës, ka konstatuar se falë mobilizimit dhe angazhimit të të gjithë faktorëve, të gjitha rrugët kryesore në komunë, përfshirë edhe ato nëpër fshatra dhe magjistralen që kalon nëpër rajonin e Shalës së Bajgorës, janë të kalueshme.

Shtabi vlerësoi po ashtu se kompania e angazhuar nga Ministria e Infrastrukturës, e cila është përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugës për Shalë, ka dështuar plotësisht, pasi që nuk ka bërë asgjë për pastrimin e kësaj rruge nga bora.

Mirëpo, pa marrë parasysh këtë, nga drejtoritë përkatëse të Komunës janë marrë të gjitha masat që edhe kjo rrugë të pastrohet dhe të mos lejohet që të bllokohet, gjë që do të izolonte rajonin e Shalës së Bajgorës.

Shtabi i Emergjencës ka lavdëruar punën e palodhshme të katër kompanive të kontraktuara për pastrimin e rrugëve – Uniteti, Urbani, Tropiku dhe Eurondërtimi.

Nënkryetari i komunës së Mitrovicës, Safet Kamberi, ka kërkuar që në gjendje gatishmërie të jenë edhe të gjitha shërbimet tjera të komunës, në mënyrë që të intervenojnë me sukses, kur një gjë e tillë kërkohet nga to. /Telegrafi/