Një rrugë është kthyer në një lumë pas ujërave që kanë shkaktuar edhe përmbytje në Londër, si pasojë e shpërthimit të një gypi kryesor të ujësjellësit.
Sipas mediave britanike, përcjell Telegrafi, janë bërë mbyllje të shumta rrugësh ndërsa banorëve u kërkohet të lëvizin “në një nivel më të lartë” në një lagje veriore të Londrës.
Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë ujin në Hornsey dhe Tollington Road në Holloway, në lagjen Islington në veri të Londrës, mbi nivelin e gomave të makinave.
Atje, gjithashtu disa makina dhe autobusë mund të shihen duke lëvizur ngadalë.
Ekuipazhet e Thames Water dhe të Brigadës së Zjarrfikësve të Londrës (LFB) mund të shiheshin duke ecur nëpër ujë me kostume, me disa punëtorë që transportonin banorët vendas nëpër ujëra me gomone të fryrë.
Shërbimet e urgjencës u thirrën në vendngjarje vetëm pas orës 7 të mëngjesit, tha LFB.
Një zëdhënës i Thames Water u ka thënë banorëve në mediat sociale se furnizuesi është në dijeni të incidentit dhe një ekip është në vend. /Telegrafi/