Me fillimin e fushatës elektorale, salla “1 Tetori” në Prishtinë është bërë një nga vendet më të frekuentuara nga qytetarët, për shkak të aktiviteteve politike që mbahen aty. Megjithatë, rrugicat që të çojnë drejt këtij vendi paraqesin rrezik për shkak të ngricave të shumta që kanë mbuluar sipërfaqen.
Një qytetar ka dërguar në adresë të Telegrafit disa foto ku tregohet se gjendja në këto rrugica është tepër e rënduar për shkak të akullit, duke vështirësuar kalimin dhe rrezikuar sigurinë e qytetarëve.
Nga ana tjetër, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se temperaturat minimale gjatë ditës së sotme do të jenë ndërmjet -5°C dhe -2°C, ndërsa maksimalet pritet të lëvizin ndërmjet -2°C dhe 0°C, duke krijuar kushte të favorshme për ngrica.
Komuna e Prishtinës nga ana tjetër ka bërë të ditur se ekipet përgjegjëse janë angazhuar intensivisht për të pastruar rrugët dhe për të siguruar që ato të jenë të kalueshme.
“Lusim qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, të përdorin mjetet e përshtatshme për kushtet atmosferike dhe të ndjekin udhëzimet e institucioneve kompetente”, thuhet në një njoftim të komunës.
Pavarësisht përpjekjeve të autoriteteve, situata mbetet sfiduese për qytetarët që lëvizin drejt sallës “1 Tetori” dhe pjesëve të tjera të kryeqytetit./Telegrafi/