Gjatë natës mes të mërkurës dhe të enjtes, ka pasur reshje të pandërprera të borës, të cilat edhe e kanë vështirësuar qarkullimin.
Por në njoftimin për media thuhet se kompanitë e kontraktuara nga Komuna janë vazhdimisht në terren duke hapur rrugët.
“Dy kompanitë e kontraktuara për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë sezonit dimëror në Komunën e Drenasit kanë filluar qysh në orët e hershme të mëngjesit të bëjnë pastrimin e rrugëve kryesore atyre dytësore dhe i janë përgjigjur kërkesave të veçanta. Organet mbikëqyrëse për të dy kompanitë, kanë qenë vazhdimisht në mbikëqyrje të kompanive dhe intervenimet kanë qenë me kohë dhe do të jenë në vazhdimësi. Deri më tani të gjitha rrugët në Komunën e Drenasit janë të kalueshme dhe nuk ka ndonjë vështirësi në terren. Fshatrat e thella kanë më shumë probleme në rrugë, pasi sasia e borës është më e madhe, por përgjithësisht rrugët janë të kalueshme”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/