Gropa të mëdha dhe dëmtime të shumta janë paraqitur në rrugët e Tetovës si rezultat i temperaturave të ulëta dhe akullit në periudhën e dimrit. Gropat e të mëdha në rrugë e rëndojnë komunikacionin dhe paraqesin rrezik për vozitësit dhe këmbësorët, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Tetovarët reagojnë ndaj mungesës së infrastrukturës së komunikacionit në qytet, ku aktivitetet ndërtimore për rikonstruim kanë filluar, por nuk kanë përfunduar.
Nga Sektori për komunikacion dhe rrugë pranë Komunës së Tetovës thonë se në javën e ardhshme do të fillojnë me sanimin e gropave dhe asfaltimin e rrugës “Ivo Lola Ribar”.
Kjo rrugë e cila është ndër më të frekuentuarat në qytet, filloi të rikonstuohet vitin e kaluar, por aktivitetet ndërtimore u shtynë disa herë.
Nga Komuna e Tetovës thonë se kanë përpunuar projekt për përfundimin e bulevardit “Industrinska”, por për shkak të situatës politike, realizimi i këtij projekti disa herë është shtyrë./Telegrafi/