Pesë vite Qeveria nuk jep leje për punësime të reja dhe zëvendësimin e mekanizimit të vjetërsuar në ndërmarrjen publike “Rrugët e Maqedonisë”. Nga ndërmarrja thonë se mosha mesatare e të punësuarve është mbi 55 vjeçare. Ndërkaq mekanizimi është i vjetër madje 27 vjet, prandaj prishet shpesh dhe ka nevojë të riparohet. Pavarësisht vështirësive nga “Rrugët e Maqedonisë” thonë se arrijnë me efikasitet ta pastrojnë borën, njofton Alsat-M.
“Në mënyrë të rregullt vitet e fundit u pensionuan shumë të punësuar, ndërsa për zëvendësimin e tyre për fat të keq nuk u arrit të sigurohen punësime të reja. Periudhën e kaluar nuk kemi rinovim të mekanizimit i cili është i vjetër 27 vjet, ka defekte të rregullta, por të punësuarit gjejnë forca t’i eliminojnë ato defekte”, tha Borçe Sarxhovski, udhëheqës i degës Autostrada, “Rrugët e Maqedonisë”.
Nga “Rrugët e Maqedonisë” theksuan se megjithëse prej 5 vitesh kërkonin nga qeveria, leje për punësime kanë marrë në fund të vitit të kaluar.
Mbetet e paqartë se përse u prit bora që të dalin në pah problemet në mirëmbajtjen dimërore të rrugëve? Alsat M kërkoi qëndrim nga qeveria se përse vitet e kaluara nuk janë përgjigjur në kërkesat e “Rrugëve të Maqedonisë” për punësime të reja dhe mekanizim të ri. Por deri në fillim të këtij edicioni nuk morëm përgjigje. Sipas të dhënave nga Byroja për furnizime publike, “Rrugët e Maqedonisë” për mirëmbajtjen dimërore për sezonin 2016-2017 do të shpenzojë 3 milion euro. Ndërmarrja ka lidhur kontratë në shumën prej 1.5 milion eurove me tre kompani nënkontraktuese për pastrimin e rrugëve këtë sezon. Në vijim është edhe tenderi për furnizim me mekanizim të ri, por ai me siguri do të jetë për sezonin e ardhshëm./Telegrafi/