Kompanitë dibrane të cilët janë në pronësi të biznesmenëve lokalë, por edhe të atyre nga mërgata, kanë investuar shumë për të pasur sukses, por ato vazhdojnë të ballafaqohen me problemet e infrastrukturës, e sidomos rrugëve të pasigurta dhe mundësisë të një terminali në vendkalimin kufitar “Bllatë” mes Maqedonisë dhe Shqipërisë në afërsi të Dibrës, shkruan gazeta KOHA. Po ashtu, biznesmenët dibranë nuk shfrytëzojnë mundësitë që ofron Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore, edhe pse kjo Odë jep mundësi të gjëra për ndihmuar me mënyra të ndryshme biznesin.
Kjo, mes tjerëve, u theksua në takimin që patën biznesmenët dibranë në kuadër të “Karvanit të Odës Ekonomike Veri-perëndimore”. Në këtë takim, në të cilin u prezantua raporti i punës për vitin 2016 si dhe Programi i punës për këtë vit, drejtori ekzekutiv i kësaj Ode, Fatmir Bytyqi, theksoi se edhe kompanitë dibrane duhet të shfrytëzojnë më shumë mundësitë që i ofron Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore. Sipas tij, ky institucion jep përkrahje për të gjithë biznesin dhe ajo përkrahje duhet të shfrytëzohet.
Përfaqësuesi i udhëheqjes së kësaj Ode, menaxheri i Kompanisë “Banjat e Dibrës”, Trim Qemali, theksoi për KOHA se kompanitë nga Dibra duhet të marrin pjesë në këtë institucion, i cili jep mundësi të gjëra profesionale dhe ata duhet të shfrytëzohen. Duhet patjetër të rritet numri i kompanive, të cilët do të jenë anëtare në këtë Odë, shtoi ai.
Në debat, një vëmendje e veçantë iu kushtua problemeve, me të cilët ballafaqohet biznesi dibran. Pjesa më e madhe e investitorëve të pranishëm në këtë tubim, theksuan se një nga problemet më të theksuara janë rrugët që lidhin Dibrën me qytetet e tjera, e veçmas me Gostivarin, Tetovën dhe Shkupin. Liridon Papraniku, pronar i një kompanie transporti tha se rrugët e rrezikshme janë një barrikadë e madhe për transportuesit.
Ai shtoi se pikërisht rrugët tejet të dëmtuara shkaktojnë dëme të mëdha edhe të mjeteve të transportit. Valon Kupa, pronar i Kompanisë Evita Grup, tha se mungesa e një terminali në vendkalimin “Bllatë”, paraqet një problem shumë të madh për zhvillimin e biznesit dibran. Ai shtoi se gjata vitit të kaluar, Oda ka ndërmarrë aktivitete të shumta për të hapur një terminal afër Dibrës, por deri tani nuk është bërë asgjë.
Kompanive të Dibrës u duhet edhe një përkrahje më e madhe e bankave. Roland Pahumi, përfaqësues i sektorit bankar dhe ekspert ekonomik në sferën e kreditimit, ftoi biznesmenët dibranë të shfrytëzojnë kreditë. “Jemi gjithmonë të hapur për të dhënë kredi të volitshme për kompanitë”, tha Pahumi. Në debat u vlerësua se kompanitë në Dibër nuk janë përfshirë sa duhet në Odat ekonomike që veprojnë në rajon. Sipas pjesëmarrësve në këtë takim, kjo situatë nuk u mundëson biznesmenëve lokalë që të kenë më shumë informata për të vepruar në treg.