Site icon Telegrafi

Rrugës për në shtëpi

Skenë nga filmi “Për në shtëpi”

Nga: Daut Dauti

Filmi Homeward [në origjinal Додому – Për në shtëpi], i xhiruar në vitin 2019 në regjinë e Nariman Alievit, është ndër filmat më të mirë të Ukrainës. Tregimi ka të bëjë me tatarët, gjegjësisht marrëdhënien mes babait dhe të birit nga ky etninicitet, që rrëfehet gjatë rrugës nga Kievi për në Krime. Babai, i shoqëruar nga djali, me makinën e tij e bartë kufomën e djalit të madh i cili është vrarë në luftën ruso-ukrainase. Babai dëshiron ta varrosë të birin në vendlindje, në Krime, mijëra kilometra larg morgut të Kievit.

Rrugës ka probleme për shkak të gjendjes së luftës dhe duhet që varrimi të bëhet në Krime, në mënyrë të fshehur, pasi që ky rajon tanimë është i okupuar nga rusët të cilët atij ia kanë vrarë djalin. Gjatë udhëtimit, në retrospektivë, tregohet e kaluara e vështirë e tatarëve, shumicën e të cilëve e kishte deportuar Stalini nga  vendlindja e tyre, nga Krimea, por që disa kthehen pas rënies së komunizmit.

Më në fund, pas shumë problemeve të mëdha, babai ia doli të varrosë të birin, ashtu siç e kërkon adeti tatar dhe mysliman. Por, pak para varrimit, vdesë edhe babai. Djali që mbetet gjallë, në fillim duket se është ukrainizuar dhe ky është problemi që krijon kundërshtime me babanë i cili mëton t’i ruajë traditat tatare. Por, vrasja e vëllait, ngjarjet dhe biseda gjatë rrugës, ndikon që djali t’iu kthehet rrënjëve të veta etnike.

Alievi është ndër regjisorët më të mirë ukrainas. Ai me këtë film ka arritur që në mënyrë të shkëlqyeshme ta paraqesë dashurinë e prindit ndaj fëmijëve, atmosferën e rëndë të vdekjes, zymtësinë e gjendjes së jashtëzakonshme, shqetësimin e padurueshëm shpirtëror që krijon lufta, dëshirën për ta ruajtur origjinën, sakrificën për vënien e amanetit në vend, dashurinë dhe obligimin që ka njeriu ndaj vendlindjes.

Është film që nuk shikohet pa shqetësime dhe ky është efekti i dëshiruar i filmit dhe sukses i regjisorit dhe aktorëve të shkëlqyeshëm. Është nga filmat që nuk kërkojnë shumë para për t’i bërë, por që duhet mjeshtëri. /Telegrafi/

 

Exit mobile version