Telegrafi

Rrugë e re Dhërmi-Sarandë, hapet gara për studim projektimin

Qeveria shqiptare parashikon që lidhja mes Dhërmiut dhe Sarandës të bëhet përmes një rruge të re e cila do të shmangë kalimin nëpër zonat e banuara për te lehtësuar qarkullimin.

Më herët, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku ka deklaruar se Rruga e Bregut do të jetë një vijim i Dhërmi-Palasë një aks ky mbi 4 kilometra dhe totalisht i ri.

Pritshmëritë janë që rruga të përshkojë zonat kodrinore mbi fshatrat e Jugut duke mos cenuar kështu pjesën e bregdetit. E duket se projekti tashmë është me afër pasi Autoriteti Rrugor Shqiptarka çelur garën për studim projektimin e rrugës së bregut me një fond limit prej rreth 820 mijë euro.

“Ajo çfarë kërkohet në këto Terma Reference është pikërisht studimi dhe hartimi i një projekti të detajuar që merr për bazë dhe zbaton standardet e miratuara me VKM Nr. 628 datë 15.07.2015 “Rregullorja Teknike e Projektimit dhe Ndërtimit të Rrugëve”, për aksin rrugor “Rruga e Bregut”, (Dhërmi – Sarandë). Segmenti rrugor do klasifikohet si Kategoria C2 “Rrugë ndërurbane dytësore”, në përputhje dhe vazhdimësi edhe me segmentin rrugor tashmë të ndërtuar (Palasë – Dhërmi)” thuhet në dokumente.

Sipas ARRSH Ky segment rrugor synon të:

  1. Lehtësojë lëvizjen e trafikut në zonën e rivierës së vendit tonë.
  2.  Krijojë një infrastrukturë komode për lëvizjen e automjeteve në këtë zonë turistike;
  3. Krijojë një infrastrukturë bashkëkohore për lëvizjen dhe sigurinë e këmbësorëve;
  4. Krijojë lehtësim në qarkullim e zonave të banuara, nga Dhërmiu në Sarandë, aty ku dhe kalon ky segment rrugor, ndërmjet rrugëve lidhese me këtë segment rrugor.

Pika e fillimit të këtij segmenti rrugor është tashmë e qartë dhe e mirëpërcaktuar, e cila është rreth-rrotullimi në fund të aksit rrugor “Palasë – Dhërmi”.

“Pika e fund të këtij segmenti rrugor nuk është e përcaktuar saktësisht, por që duhet të jetë pranë qytetit të Sarandës. Pika fundore do të përcaktohet në funksion të nevojave që rrjeti rrugor (Kardhiq – Delvinë, Bypass Sarandë, Shijan – Qafë Botë) dhe Bashkia Sarandë e Delvinë.

Gjatësia e aksit të ri rrugor pritet të shkrutohet me 20-30%, si pasojë e përmirësimit gjeometrik të gjurmës së rrugës.

Gjithashtu, duhet të ketë një bashkëpunim të ngushtë me pushtetin lokal për përcaktimin e gjurmës si dhe tipin e nyjeve, që do bëjnë të mundur lidhjen e zonave të banuara apo dhe atraksioneve turistike, me këtë aks rrugor” thuhet në dokumente.

Konsulentit i kërkohet që për këtë projekt të shqyrtohen jo më pak se tre variante dhe asnjëri prej tyre nuk mund të përsërisë më shumë se 30 për qind të secilit. /Telegrafi/