Telegrafi

Rruga Tiranë-Elbasan, 440 milionë euro

Kryeministri informoi se "kompanitë e angazhuara për ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan janë ndër më të mëdhatë dhe më të mirat në Evropë dhe botë". Ai vuri në dukje se "koha e ndërtimit do të jetë 18 muaj, pra autostrada do inaugurohet në fillim të vitit 2013". Ndërkohë, Ministria e Financave po negocion marrëveshjen e kredisë me Bankën Islamike për Zhvillim, (IBD) për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan, që në total kushton 440 milionë euro.

"I gjithë projekti për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan kushton rreth 440 milionë euro. Me IDB po negociojmë një marrëveshje kredie prej 300 milionë dollarë dhe pjesa tjetër prej gati 200 milionë euro për financimin total të rrugës do të financohet përmes kredive të tjera me institucionet financiare ndërkombëtare si dhe me kontributin e qeverisë shqiptare", ka deklaruar zëvendësministri i Financave, Nezir Haldeda.

Në tenderin për ndërtimin e tunelit pjesë e autostradës Tiranë-Elbasan, morën pjesë 26 kompani, ndërsa në fazën e dytë të tenderit janë përzgjedhur 12 kompani. Burimet zyrtare nga MPPT, bënë të ditur se shumë shpejt do të përfundojë edhe procesi i vlerësimit të ofertave dhe do të shpallet kompania fituese. Në total, sipas projektit, kostoja për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan pritet të shkojë në rreth 440 milionë euro, ndërsa ndërtimi i saj prite të përfundojë gjashtëmujorin e parë të vitit 2013.

Studimi i projektit të kësaj rruge është bërë nga kompania italiane "Bonifica", e cila paraqiti katër variante, ndër të cilët u përzgjodh alternativa që kalon Qafën e Krrabës përmes një tuneli të gjatë 2.2 km dhe ku parashikohet ndërtimi i disa tuneleve të tjerë më të vegjël përgjatë rrugës, me gjatësi totale të tuneleve 3260 m si dhe 14 nënkalime dhe mbikalime për të bërë të mundur mos ndërprerjen e rrugës. Autostrada ka disa tunele. Projekti, parashikon mbikalime në km 5.4, në Mullet, në km 9, Berzhitë dhe në km 14, në Krrabë, si dhe dy rrethqarkullime në afërsi të Elbasanit në km 30.38 dhe 31.17 që përkojnë me mbikalimin hekurudhor.

Nga dalja e Tiranës deri në Mullet, zonë me potenciale ekonomike dhe turistike për kryeqytetin, paraqet rëndësinë e ndërtimit të një autostrade të mirëfilltë urbane, që në pjesën e parë, rreth 2.6 kilometra do të jetë autostradë me dy korsi udhëtimi, një korsi emergjence, një korsi për shërbim publik dhe një për biçikleta. Koha e udhëtimit pritet të shkurtohet nga më shumë se një orë, në 18 minuta, ndërsa ndërtimi i rrugës do të ulë gati tri herë edhe koston, e cila e përkthyer në vlerë monetare, llogaritet kursimin prej shtatë euro për automjet. /Telegrafi/