Edhe pse nuk ka një kosto të saktë se sa mund të kushtojë, megjithatë ekspertët kanë dhënë tre variante për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren. Rruga me gjasë duhet të jetë rreth 60 kilometra. Ndërtimi i kësaj rruge është një kërkesë e kamotshme e banorëve që jetojnë në të anët e malit Sharr respektivisht Tetovës dhe Prizrenit. Së fundi është bërë edhe studimi fizibiliti, ndërsa me këtë edhe jepen kahjet se si do të ndërtohej kjo rrugë mjaft e përfolur viteve të fundit.
Ministri për përmirësimin e klimës investuese Hisen Xhemaili, thotë se tre variantet e fizibili studimit përfshijnë ndërtimin e tuneleve.
“Një nga variantet është me tunel më të gjatë me gjashtë kilometra e 400 metra, një variant është me një tunel prej 3 kilometra dhe varianti i tretë është 1700 metra tunel. Të tre variantet dallojnë njëri prej tjetrit. Varianti me tunel më të gjatë nënkupton që tuneli të jetë në 1500 metra lartësi mbidetare dhe është paraparë të jetë mes dy fshatrave Bozovcë dhe Veshallë, variant i dytë është 3200 metra tunel, në lartësi mbidetare prej 1500 metra po ashtu i paraparë mes dy fshatrave Bozovcë dhe Veshallë. Varianti i tretë që është në një gjatësi prej 1800 metrave tunel gjithashtu i paraparë mbi fshatin Veshallë por që është në një lartësi mbidetare prej 1800 metrave. Sipas ekspertëve variant më i mirë me kosto më të ulët është variant me tunel në gjatësi prej 3200 metrave”, informon ministri Xhemaili.
Ndërtimi kësaj rruge, edhe pse pa afatizime, nënkupton zhvillim të turizmit, ekonomisë por edhe qasje më të afërt në Portin e Durrësit përmes “Rrugës së Kombit” për bizneset në Maqedoninë Perëndimore.
“Kjo ide që të shkohet dhe të ndërtohet një rrugë moderne e kohës për qarkullim të veturave dhe mallrave është më se e nevojshme dhe do të kishte efekte shumë pozitive sidomos në zhvillimin e ekonomisë. Kjo rrugë kap gjithë Maqedoninë Perëndimore nga Qafëthana deri në Kumanovë. Rruga do të shkurton lidhjen në radhë të parë me Kosovën, pra do të kishte efekte edhe në qasjen sa më të shpejtë edhe në bregdetin shqiptar në lidhje me rrugën e kombit. Efektet tjera përveç këtyre ekonomike në zonën tonë do të ndikonin pozitivisht edhe në zhvillimin e turizmit. Pasi që te kthesa e fshatit Shipkovicë në lidhje me Brodecin dhe do të kalojë për në Prizren kjo do të ishte në prespektivë në zhvillimin e turizmit në Kodrën e Diellit”, theksoi ministri për përmirësimin e klimës investuese Hisen Xhemaili.
Ndryshe, projekti i kësaj rruge është përmendur edhe në takimin mes mandatarit për formimin e qeverisë së re në Kosovë Albin Kurti dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev.
Sipas Xhemailit, Maqedonia është një hap përpara për dallim nga Republika e Kosovës për këtë projekt pasi që ka edhe fizibili studimin. Ky studim mund të shërbejë edhe tek pala kosovare për të iniciuar nënshkrimin e memorandumit mes dy shteteve që më pas edhe të kërkohet fonde për realizimin e së njëjtës./Koha/